Përgatitjet për takimin e 18 marsit në Ohër kanë filluar këtë javë. I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak të enjten nisi vizitën në Prishtinë.

Siç tha ai për të kuptuar si e sheh Kosova implementimin e “Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Qëllimi kryesor i vizitës në Prishtinë është të diskutoj implementimin e dokumentit me kryeministrin Kurti. Mund ta them se patëm diskutim konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të dobishëm. Shpresojmë që pastaj do të mund të kemi një dokument për të cilin do pajtohen me të 18-in në Ohër”, tha Miroslav Lajçak-emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Emisari për dialogun u shpreh se për të njëjtin qëllim më 13 dhe 14 mars do të shkojë edhe në Serbi, derisa ka shprehur optimizmin për finalizimin e marrëveshjes që kjo të bëhet ligjërisht e obligueshme.

“Jemi pajtuar që për t’u kthyer në marrëveshje ligjërisht të obligueshme, duhet të pajtohemi edhe si ta implementojmë. Duhet të dimë se cilët janë hapat, sekuencat e afatet kohore, përndryshe do të jetë vetëm marrëveshje politike. Duhet të fokusohemi në finalizim dhe hapi tjetër do të jetë formalizimi”, deklaroi Lajçak.

Gjatë së enjten ndërmjetësuesi i dialogut Kosovës -Serbi ka takuar edhe Presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin që tha se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvend ku hyjnë paprekshmëria e sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës.

Miroslav Lajçak do të qëndrojë në vizitë në Kosovë edhe të premten ku do të takojë partitë opozitare në vend.

Top Channel