Paga e mjekëve specialistë do të rritet me 500 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa rritje me 7 për qind do të ketë edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, u njoftua sot në Kongresin e Shëndetësisë.
Një nga synimet e ndërhyrjes në këtë mënyrë është edhe rritja e interesit për të rinjtë e sapodiplomuar që të punojnë në Shqipëri dhe të mos largohen.
Në një lidhje live me edicionin qendror të lajmeve ministrja Manastirliu, iu përgjigj pyetjeve se si do të zgjidhet problemi i korrupsionit në shëndetësi dhe largimi i mjekëve.
“Masat janë marrë në disa drejtime. E para, përsa i përket mbështetjes financiare për profesionistët e shëndetit. Sot dhe në vazhdimësi kemi treguar mbështetjen duke rritur pagat, me bonusin financiar për punë larg vendit të banimit. Lajm sot është një mbështetje për mjekët specialistë, për të cilët do të ketë një rritje të posaçme. Do të jetë një rritje prej 50 mijë lekësh”.
E pyetur se si do të zgjidhet korrupsioni në shëndetësi, Manastirliu u përgjgjigj:
“Në spitalin e Fierit, jemi duke pilotuar me autonominë spitalore, që duke adresuar të gjitha çështjet që lidhen me eficencën e shërbimeve, më mirëmenaxhimin e administrimeve të burimeve njerëzore, të adresojë edhe këto fenomene, që edhe pse janë sporadike, nuk mund të dëmtojnë punën e të gjithë sistemit. Por, autonomia spitalore është një prej modeleve që ka filluar të pilotohet, do të shpërndahet në të gjitha spitalet e vendit dhe do të sigurojë që të mbështesë mjekët nëpërmjet pagesave për performancë, të krijojë mundësi për praktikën dyfishe, që të eliminopjmë elementët që kanë lidhje me korrupsionin”.
Top Channel