25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti: Rezistenca e familjes Jashari themeltare në historinë e Kosovës

06/03/2023 14:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se rezistenca e familjes Jashari dhe komandati legjendar, Adem Jashari janë themeltarë dhe të përjetshëm për historinë e Kosovës.

Kurti në seancën solemne në nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se qëndresa e familjes Jashari do të kthehej në rezistencë shembull që gjithë shqiptarët e Kosovës dhe kombit për tu çliruar nga Serbia.

“Plot një çerek shekulli më parë më 5. 6 dhe 7 mars të vitit 1998 mijëra forca të armatosura të Serbisë e rrethuan shumëfish Prekazin në një operacion policor që pas 3 ditë luftimesh rezultoi me 59 të vrarë prej tyre 20 anëtarë ishin nga familja e ngushtë e Shaban Jasharit ku gjatë atyre 3 ditëve u bë një rezistencë e armatosur e pashembullt në një përballje krejtësisht të pabarabartë mes luftëtarëve të armatosur të lirisë dhe mijëra trupa të rregullt e speciale policore që po zbatonin një urdhër kriminal. Ishte hera e tretë që familja Jashari sulmohej dhe ishte hera e tretë që ajo rezistonte përballë trupave policore të Serbisë pushtuese. Por, kësaj radhe qëndresa e familjes Jashari do të kthehej në rezistencë shembull që gjithë shqiptarët e Kosovës dhe kombi mbarë për tu çlirua nga Serbia për ta ndërtuar shtetin e Republikës së Kosovës në liri”, tha ai.

E në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ku i pranishëm është edhe vëllai i komandantit Adem Jashari, Rifat Jashari, Kurti kujtoi edhe kohën kur Rifat Jashari shpërndante plamflete politike me mbishkrimet “Kosova Republikë“.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës, rezistenca e Jasharëve dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe si të tilla do të mbesin përjetë.

“Në historinë e UÇK-së dhe Kosovës rezistenca e Jasharajve të Prekazit dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore dhe të tilla do të mbeten përjetë….Më shumë se katër dekada prej kohës kur kishte shpërndarë pamflete me thirrjen ‘Kosova Republikë‘ bacin Rifat Jashari e kemi këtu mes nesh pikërisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës….Familja e madhe që krijuan Shaban Jashari dhe gruaja e tij, Zahide Geci ishte një shtëpi e ngritur mbi themele e trashëgimisë patriotike siç ishte dhe një shkollë e formimit me atdhe dashuri që mbanin si tre shtylla tre djemtë e tyre, Rifati, Hamza dhe Ademi. Hamza dhe Ademi do të binin dëshmorë në luftë për lirinë e Kosovës në mars të vitit 1998, ndërsa vëllait më të madh do t’i takonte të vazhdonte rrugët e përbashkët të tyre por edhe me një detyrë shtesë. Që nga marsi i vitit 1998 ky njeri do të kryente detyrën e vështirë të ruajtjes së trashëgimisë me aq shumë vlera kombëtare dhe peshë historike”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit kosovar foli edhe rreth projekti të rekostruktimit të kompleksin memorial në Prekaz.

Ai tha se qëllimi i këtij projekti është që fshatin Prekaz të shndërrohet në një peizazh kulturor historik për tu njohur me gjithë historinë e Jasharëve të Prekazit të UÇK-së dhe të vuajtjeve shqiptarëve.

“Ju faleminderit që me kaq besnikëri e keni ruajtur gjithë atë histori të familjes tuaj që ju e keni bërë, që ju e keni bërë bashkë me Hamzën dhe Ademin, me babën Shaban dhe nënën Zahide dhe me gratë e familjes, si dhe me djemtë e vajzat tuaj. …Qëllimi i këtij projekti që është në fazën e shpalljes së konkursit ndërkombëtar është që institucionet e Kosovës të investojnë në mënyrën e duhur ashtu që pothuajse i gjithë fshati Prekaz të shndërrohet në një peizazh kulturor historik, ku shqiptarët dhe gjithë njerëzit do të mund të shkojnë për të parë jo vetëm vendin ku është jetuar dhe luftuar por sidomos për tu njohur me gjithë historinë e Jasharajve të Prekazit të UÇK-së, të vuajtjeve shqiptarëve nën jugosllavi. Rezistenca e Jasharave në 5, 6 dhe 7 mars nuk është edhe një degë më shumë në pemën rrënjthellë të historisë modern të Kosovës, por ajo është vetë trungu i pemës së kësaj historie”, u shpreh Kurti.

Top Channel