Sektori i ndërtimit nuk po ndal vrullin. Numri i lejeve për ndërtesa dhe sipërfaqja e dhënë për to sa vjen e rritet, jo vetëm ato për banesa, por edhe për ndërtesa të tjera, veçanërisht për ato jo rezidenciale si hotelet.
Vetëm përgjatë vitit të kaluar sipas të dhënave të Institutit të Statistikave janë miratuar 51 leje të reja për hotele dhe struktura të tjera të ngjashme akomoduese në të gjithë vendin me një sipërfaqe prej 199 000 m2.
Pas frenimit përgjatë viteve të pandemisë, interesi për ndërtimin e hoteleve është shtuar pasi lejet e dhëna për këto struktura thuajse u dyfishuan vitin e kaluar në krahasim me vitin 2021.
Sipas Instat, lejet e miratuara për hotele apo struktura të ngjashme kapin vitin që lamë pas kapën vlerën e 7.2 miliardë lekëve, ose rreth 63 milionë euro. Edhe pse në rritje krahasuar me vitin e mëparshëm, ky tregues llogaritet gati dyfish më i ulët se në vitin 2019.
Vetëm në harkun kohor të pesë viteve të fundit, pra për periudhën 2018-2022 në total numri i lejeve të miratuara për ndërtimin e hoteleve arrin në 249 leje.
Sektori i hotelerisë prej vitesh tashmë është favorizuar nga politikat fiskale të qeverisë me normë të reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar si një masë për nxitjet e turizmit në vend, një ndër degët më me peshë të ekonomisë.
Megjithatë, Financat kanë deklaruar se po shqyrtohet mundësia e heqjes së këtij përjashtimi në vijim, rekomandim ky i bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar herë pas here sipas të cilit nxitja e sektorëve nuk bëhet duke reduktuar taksa, por përmes skemave të tjera mbështetëse.
Top Channel