Autori i vrasjes së tri grave dhe plagosjes së tre të tjerave, Dan Hutra shfaqet i qetë gjatë seancës gjyqësore dhe pa asnjë shenjë pendese.
I veshur me një hoodie gri, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të cilët e kanë pyetur nëse është penduar për krimet.
Mesditën e 1 marsit, Hutra shkoi në Astir për të eliminuar me thikë pa shkaktuar shumë zhurmë Marjana Gurakuqin të cilën e akuzonte se nuk i kishte kthyer një shumë parash.
Falë disa klientëve që hynë në dyqan dhe reagimit të saj ajo mundi të shpëtojë me disa lëndime në dorë dhe në fytyrë. Fill pas kësaj ngjarje ai shkoi në Kodër Kamëz ku qëlloi ndaj familjes së ish-bashkëjetueses, duke lënë të plagosur ish-bashkëjetuesen Elena Hysa, 35 vjeçe dhe nënën e saj Kujtime Hysa 60 vjeçe dhe vrarë me armë zjarri Mevlute Hysan 30 vjeçe, motrën e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, të fejuarën e vëllait të ish-bashkëjetueses.
Më pas ai shkoi në Kamëz dhe vrau motrën e kundërshtarit të tij në burg, Etleva Kurtin.
Sipas tij objektivi i radhës ishte një person me vendbanim në Kambinat, i cili sipas tij kishte shitur në vitin 1999 armën me të cilën u vra i ati në Durrës.
Por mungesa e një adrese të saktë si edhe etja dhe uria e detyroi atë të shkojë në disa biznese dhe të bjerë kështu në gjurmë të policisë që kishte orë që e kërkonte.
Pasi u arrestua ai ka treguar me gjakftohtësi para grupit hetimor për krimet dhe motivet të cilat i kishte planifikuar me imtësi që në kohën kur ishte në burg. Pasi doli më 16 shkurt vëzhgoi objektivat siguroi armën dhe makinën dhe vuri në jetë planin djallëzor.
Top Channel