Gjermania po bën përparim të ngadaltë në zbatimin e sanksioneve kundër oligarkëve dhe institucioneve ruse, thuhet në të dhënat e Qeverisë gjermane.
Gjermania ka ngrirë 5.25 miliardë euro asete që u takojnë oligarkëve rusë që janë sanksionuar që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës një vit më parë, thuhet në të dhënat e Ministrisë gjermane të Financave, raporton Reuters.
Kjo shifër është 4.28 miliardë euro gjashtë muaj më parë. Ministria ndau këto informacione në përgjigje të një kërkese nga anëtari i Parlamentit gjerman, Christian Goerke.
“Që nga dhjetori [i vitit 2022] vetëm 200 milionë euro asete të oligarkëve janë ngrirë, dhe brenda gjysmë viti vetëm një miliard. Asnjë oligark nuk ka raportuar asetet e tij që nga dhjetori”, kritikoi Goerke.
Sipas ligjit gjerman të sanksioneve, personat e shënjestruar nga sanksionet e Bashkimit Evropian duhet të deklarojnë menjëherë asetet e tyre. Nëse nuk e bëjnë këtë, ata mund të përballen me gjobë apo deri në një vit burgim.
Deri më tani, tetë oligarkë kanë raportuar 31 asete në Bundesbank, thuhet në të dhënat e Qeverisë gjermane. Vlera e këtyre aseteve është e barasvlershme me 577 milionë euro. Në këto asete bëjnë pjesë llogari bankare, kompani dhe letra me vlerë.
Që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe oligarkëve dhe kompanive ruse.
Top Channel