Duke filluar nga dita e hënë kanë nisur punën nën terren njësitë e lëvizshme dentare, një program i Ministrisë së Shëndetësisë nga i cili do të përfitojnë 240 mijë fëmijë, të moshave nga 6-14 vjeç, kryesisht të zonave rurale nëpër të gjithë vendin.
Këtu ne ndodhemi në njësinë e lëvizshme dentare të vendosur në shkollën 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” në Laknas të bashkisë së Kamzës.
“Kur më kanë dhembur dhëmbët, më kanë çuar tek dentisti, por shumë herë refuzoja, pasi kisha frikë. Ndërsa tani nuk kam më”, thotë një nxënës.
“Ne kemi nxënës në klasë që nuk kanë para për të shkuar tek dentisti, ndaj kjo është një mundësi e mirë”, shprehet një vajzë.
“Unë kujdesem shumë për dhëmbët, i laj dy herë në ditë, nuk ha gjëra të forta dhe ëmbëlsira, megjithëse më pëlqejnë shumë”, thotë një tjetër.
“Ne kemi bërë një organizim sipas klasave. Depistojnë rreth 3 klasa në ditë. Besojmë që do të qëndrojmë në këtë shkollë deri javën tjetër, më pas do të zhvendosemi në një shkollë tjetër”, tregon stomatologia Teuta Lako.
Unë doja të theksoja që krahas këtij programi falas që sapo ka nisur, Klinika Stomatologjike Universitare dhe Fakulteti i Mjekësisë Dentare japin shërbim falas për fëmijët dhe shtresat në nevojë.
“Shkolla janë ka 291 nxënës. Fëmijë dhe prindër e kanë pritur shumë mirë ardhjen për herë të parë në shkollën tonë të një njësie të lëvizshme dentare. Madje shumë prindër më kanë marrë në telefon të sigurohen nëse do të mund të kontrollohen fëmijët e tyre. Unë I siguroj se të gjithë nxënësit që do të donin do të marrin falas këtë shërbim“, thotë Viktor Gjini, drejtor i shkollës 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaccorri” në Laknas.
Top Channel