Burgoset gjyshja irlandeze që quante refugjatët ukrainas ‘përdhunues e kriminelë’ (fotot)

04/03/2023 19:34

Një gjyshe nga qyteti irlandez i Cork është burgosur dje për 16 javë për abuzim verbal ndaj refugjatëve ukrainas në qytetin e saj, teksa i quante “përdhunues e kriminelë.”

Zhvillimi vjen teksa 68 vjeçarja Margaret Buttimer kishte krijuar një “skenë skandali” në hotelin ku po akomodohen refugjatët ukrainas, duke bërtitur epitetet e saj te padenja.

Buttimer, u deklarua e pafajshme ndaj akuzave në gjykatën e Bandon në lidhje me incidentin në hotelin Munster Arms muajin e kaluar.

Oficeri Nigel Whelton tha në gjyq se ai dhe një koleg kishin shkuar në vendngjarje pasditen e 26 janarit pas raportimeve se një grua po krijonte trazira aty..

Ai shtoi se kishin parë zonjën Buttimer që bërtiste në zonën e recepsionit.

“Dua të di sa refugjatë ukrainas po qëndrojnë në këtë hotel, sepse kjo është një kosto e popullit irlandez”, raportonte oficeri fjalët e gruas, e cila më pas kishte thënë se “këta ukrainasit janë përdhunues e kriminelë”.

Detektivi Whelton tha se i kishte kërkuar zonjës Buttimer të hiqte dorë por ajo vazhdonte dhe kërkonte të fliste me menaxherin, ndërsa shtonte se situata po përshkallëzohej dhe se ajo po krijonte një skenë.

Buttimer ishte shoqëruar jashtë dhe ishte inkurajuar të hiqte dorë por pas disa tentativash, oficerët e arrestuan atë, duke thënë se “nuk kishin opsion tjetër”.

Plunkett Taaffe, avokati i Buttimer, tha se klientja e tij vetëm po pyeste nëse ata që po vendoseshin në hotel ishin kontrolluar për precedentë, dhe se ajo nuk i kishte quajtur përdhunues e kriminelë.

Por oficeri Whelton tha “jo, unë e dëgjova qartë”.

Në dëshminë e saj, Margaret Buttimer tha se kishte kërkuar informacion nga menaxheri i hotelit.

Gjyaktësi vendosi se shkeljet e propozuara qëndronin dhe provoheshin.

Në gjyq u tha se gruaja kishte disa shkelje të tjera në lidhje me refuzim të zbatimit të rregullave Covid.

Gjykatësi tha: “Besoj se ajo është influencuar nga të tjere dhe e kanë bindur të ndjekë një axhendë anti-konformiste”.

“Më duket se ajo ka disa influenca dashakeqe.”

Gjykatësi dha dënimin 16 javë burg, gjysmën e të cilave i kishte kryer në pritje të gjyqit, madje ofroi të pezullonte burgimin nëse qëndronte larg hotelit të refugjatëve ukrainas apo çdo vendi tjetër ku strehohen refugjatë.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA