Në njëmbëdhjetë pika, plani i Bashkimit Evropian është hartuar me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Nenet e para të kësaj marrëveshjeje që ka mbetur e panënshkruar nga palët, i kushtohen fqinjësisë së mirë, njohjes së autonomisë, integritetit territorial e dokumenteve.
Kjo shihet si një përfitim nga ana e Kosovës edhe pse ka paqartësi të shumta pasi që me këtë qeveria synonte njohjet nga pesë vendet mosnjohëse.
Pikë problematike mbetet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pasi që sipas nenit 10 të këtij plani, palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, që shihet se në Kosovë nuk ka gatishmëri për këtë.
Neni 7 i marrëveshjes kërkon nga Kosova formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, që për Kosovën do prodhojë sfida të shumta.
Një takim i radhës trilateral mes përfaqësuesve të BE-së, Kosovës e Serbisë pritet të mbahet më 18 mars, për të nënshkruar edhe planin e zbatimit për këtë marrëveshje, sipas njohësve, nuk ka gatishmëri për këtë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takuan më 27 shkurt në Bruksel dhe pranuan planin evropian për normalizim të marrëdhënieve por dështuan të nënshkruajnë marrëveshje.
Top Channel