Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Fatos Skejës, ish oficer i Gardës së Republikës në grupin që shoqëronte Berishën, vendim i zbardhur sot.

Skeja ishte pëmendur nga i vëllai i Hekuran Dedjas, Hilmi Dedja se kishte shkuar në familjen e tyre, pas vrasjes së vëllait për të “blerë” heshtjen e tyre dhe për të ofruar para.

“Më 23 janar 2011, në orën 11:30 të natës, na erdhi në shtëpi, piu edhe kafe. La edhe një 10 mijë lekësh. Pasi doli në rrugë kërkoi të bisedonte me mua dhe me vëllanë e madh. Ishte dhe vëllai i vogël aty. Na premtoi një shumë lekësh: ‘Prisni Berishën. Pranoni Kryeministrin, pasi keni një shumë parash, që i kam mbajtur në valixhe dhe do ju tregoj fotografinë e atij që ka qëlluar mbi Hekuranin”, ka deklaruar Hilmi Dedja.

Pas kësaj deklarate Fatos Skeja bëri padi në Gjykatën e Tiranës ku kërkonte përgënjeshtrimin dhe një dëmshpërblim prej 2 milionë lekësh.

Gjykata i dha të drejtë, por më pas Apeli rrëzoi vendimin, së fundmi edhe Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit duke mos i dhënë të drejtë Fatos Skejës e duke mos rrëzuar kështu as deklaratën e Hilmi Dedjas se oficeri i Gardës i ofroi para të priste Berishën në shkëmbim të fotos së vrasësit të të vëllait.

Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Lartë:

II. Vlerësimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë

12. Në Gjykatën e Lartë në datë 11.04.2014 është regjistruar çështja nr. 11118-01285-00-2014 regj. them, që iu përket palëve: paditës Fatos Skeja dhe te paditur Hilmi Deda, me objekt: “Detyrimin e të paditurit të më shpërblejë për dëmin e shkaktuar në shumën 2.000.000 lekë. Detyrimin e të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim të intervistës së dhënë në Vizion Plus, në këtë televizion dhe në tre nga gazetat me shpërndarjen më të madhe në vend”.
13. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja, nuk përmbajnë asnjërin nga rastet e parashikuara në ligj, prandaj si i tillë ato nuk duhet të pranohen.
14. Nga shqyrtimi i çështjes në dhomën e këshillimit rezulton se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja, janë bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikohen në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, pasi gjykatat më të ulëta e kanë respektuar ligjin material, duke e interpretuar dhe zbatuar drejtë atë. Vendimet e tyre nuk janë në kundërshtim me ndonjë vendim të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
15. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes në dhomën e këshillimit, Kolegji arrin në konkluzionin se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja janë të pabazuar në ligj, prandaj si rrjedhojë ato nuk duhet të pranohen.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 të Kodit të Procedurës Civile.

V E N D O S I:

Mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala paditëse Fatos Skeja, ndaj vendimit nr. 335, datë 11.02.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Tiranë, më 08.11.2022

Vendimi i plotë i Gjykatës së Lartë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA