Për vendimin e Gjykatës së Apelit e cila i la “vulën” e PD-së Alibeajt, ish-kryeministri bëri përgjegjës Edi Ramën, duke e akuzuar se vendimi u mor në zyrën e tij.  

Berisha doli në një deklaratë në selinë blu, nga ku priti verdiktin e Gjykatës dhe hodhi akuza në drejtim të trupës gjykuese, të cilët sipas tij lexuan vendimin e përgatitur kohë me parë në zyrën  e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Berishës, vendimi u mor me qëllim 3 ditë para skadimit të afatit për t’u regjistruar në zgjedhje dhe ka si qëllim ‘likuidimin’ e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri.

Sali Berisha:  Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të PD-së, qytetare dhe qytetarë shqiptarë.
Sot në darkë Edi Rama, komunikoi vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
Sot tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës, të paralajmëruar kohë më parë ambasadorëve të caktuar, të akredituar në Tiranë të paralajmëruar në parlamentin shqiptar.

Sot gjithashtu jemi në një orë, kohë prove të vërtetë dhe unë kam besimin më të madh se demokratët shqiptarë janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht dhe çmim pluralizmin në Shqipëri dhe PD-në.
Vazhdimi i skenarit të filluar me tradhtarin e kombit Amerikane McGongial, të kaluar në një seri etapash sot konkludoi me një vendim të pashembullt në Europë dhe botë.

Në procesin e sotëm dua të informoj shqiptarët se ata të cilët kishin kërkuar zyrtarisht të shpalleshin palë, i thanë gjykatës se nuk kemi qenë palë në proces, por gjykatësit lexuan vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës dhe anuluan tre ditë, tre ditë pasi e mbajtën 9 muaj, anuluan tre ditë para skadimit të afatit të regjistrimit në zgjedhje, një vendim legjitim, vetëm e vetëm se ishte urdhëruar nga Edi Rama.

Çdo gjykatës me integritetin minimal, kur pala tjetër deklaronte se nuk ishte palë në këtë proces, mbyllte procesin dhe nuk vazhdonte më tutje, por ata kishin në sirtar vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike.
Ky vendim vjen në një kohë kur opozita është e angazhuar në një revolucion demokratik, paqësor, me të cilin ajo është e betuar të përmbysë monizmin e Edi Ramës, është e betuar të ju rikthejë shqiptarëve votën e lirë.

Në këtë kontekst unë i bëj thirrje anëtarëve dhe simpatizantë të PD-së të ngrihen në lartësinë e tyre të misionit historik, misionit të shpëtimi të pluralizmit, demokracisë, të shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë.
Çdo shqiptar sot në shumë se kurrë pret nga guximi ynë, qëndrimi ynë realizimin e këtij misioni.

Opozita është një mision i lartë moral i normave të vërteta. Partia Demokratike është sot një parti më e fuqishme se kurrë dhe do të mbledhë këto ditë forumet e saj dhe mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor të shpallur nga narkoshteti i Edi Ramës do të bëje marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme. Faleminderit.

Gjykata vendosi të shfuqizojë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri dhe automatikisht çështja do të rikthehet në Gjykatën e Tiranës për rishqyrtim me një tjetër trupë gjykuese. Vendimi ishte unanim nga të tre gjyqtarët që e dërguan çështjen për rigjykim, të cilët pranuan kërkesat e depozituara nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj, që të prishej vendimi i Zhukrit me të gjitha ndryshimet e miratuara më 25 mars dhe çështja të rikthehej për rigjykim duke rrëzuar foltoren. Për momentin “timoni” i partisë Demokratike do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, i cili është në cilësinë e nënkryetarit, deri kur të jepet një vendim tjetër nga Gjykata e Tiranës.

Top Channel