Te Bayern Munchen janë të fokusuar te përballja e 8 marsit ndaj PSG-së. Në “Allianz Arena” do të zhvillohet një finale e parakohshme në Champions, por bavarezët janë të avantazhuar pas suksesit 0-1 në kryeqytetin francez.
Në lojë është një biletë në çerekfinale, raund në të cilin kampionët e Gjermanisë duan të jenë me çdo kusht. ”Skuadra e tregoi në Paris që është gjithmonë gati në momentet vendimtare.
Ne e dominuam PSG-në, fitorja mund të ishte edhe më e thellë. Ne e kishim të qartë se kemi një skuadër të madhe, lojtarët thjesht duhet ta demonstronin këtë gjë.
Jam i bindur se do e bëjmë sërish. Kam besim të plotë. Kemi edhe stol plot alternativa, të gjithë do donin një stol si i Bayernit”, deklaroi presidenti Herbert Hainer.
Ndërkohë, trajnerin Julian Nagelsmann e shqetëson dëmtimi i Leroy Sane. Lojtari i kombëtares gjermane, është ndalur në stërvitjen e fundit për shkak të problemeve në kyçin e këmbës, thekson Bild.
Sulmuesi rrezikon pjesëmarrjen në duelin ndaj PSG-së, por kontrollet e mëtejshme mjekësore do të përcaktojnë kohën e rikuperimit të 27-vjeçarit.
Top Channel