Qytetarët e Kosovës e presin prej kohësh liberalizimin e vizave, që tashmë është përcaktuar të ndodhë jo më vonë se 1 janari 2024.
Por duket se përveçse do të lehtësonte lëvizjen për ta, ky hap do të katërfishonte fuqinë e pasaportës kosovare. Sipas indeksit të pasaportave VisaGuide.World, që rendit pasaportat e 199 shteteve qytetarët e të cilave mund të lëvizin pa viza, me liberalizimin e lëvizjes, Kosova do të lëvizte ndjeshëm në renditje dhe fuqia e pasaportës së saj, do të rritej.
“Në VisaGuide.Passport Index, pasaporta e Kosovës renditet e 195-ta në botë me një Passport Score prej 10.39. Poshtë saj, rreshtohen pasaporta e Irakut, Sirisë, Somalisë dhe Afganistanit. Në rastin e liberalizimit të vizave nga BE, Kosova do të lëvizte me 93 vende duke u pozicionuar në vendin e 102-të, dhe fuqia e pasaportës do të katërfishohej pothuajse, dhe do të arrinte në 38.93”, sipas Besart Bajramit, themelues i VisaGuide.World, i cituar nga mediat në Kosovë.
Ai shpjegon se pavarësisht një rritjeje të tillë në renditje, Kosova sërish do të mbetej në fundit të listës, krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e kjo për shkak të numrit të madh të vendeve që e nuk e kanë njohur ende atë si shtet të pavarur. Nëntorin e vitit të kaluar, anëtarët e BE-së mbështetën propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, kur edhe parashihej hyrja në funksionin e sistemit të udhëtimit ETIAS.
Nëse funksionimi i tij do të ndodhte që nëntorin e këtij viti liberalizimi për Kosovën do të vinte më herët, por një ditë më parë u njoftua se data kur ETIAS do të bëhej efektiv, është shtyrë sërish.
Top Channel