Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se me audio-përgjimin e publikuar mbrëmjen e djeshme në Top Story, u kuptua i gjithë skenari i vrasjeve të 21 Janarit.
Në një lidhje direkte për Top Story me Grida Dumën, Balla tha se përmes audios së regjistruar, kuptohet sesi komandanti i Gardës ka urdhëruar asgjësimin e protestuesve sapo ka dalë nga zyra e Sali Berishës.
Sipas tij, mocioni me debat i kërkuar me ngulm nga opozita për çështjen McGonigal i duhej opozitës për të hequr vëmendjen nga provat e reja të 21 Janarit dhe e Gërdecit.
Taulant Balla: Për ne e rëndësishme mbetet hetimi i plotë i 21 janarit. Dje në studion tuaj është publikuar i plotë audio-regjistrimi ku kuptohet qartë gjithë skenari ose urdhërimi i vrasjeve të 21 Janarit. Behet fjalë për mënyrën sesi komandanti i gardës, pasi ka dalë nga zyra e Sali Berishës ka kërkuar të merren masa për zjarr ushtarak dhe të asgjësohen të gjithë protestuesit.
Grida Duma: Po pse audio-përgjimi që konsiderohet një nga provat që duhet marrë SPAK-u siç pretendon gazetari, duhet të përdoret nga ju, ndërkohë që mocioni është kërkuar për çështjen McGonigal. Është më normale që për 30 vite kërkohet mocion për një çështje dhe palët përgjigjen për një çështje krejt tjetër. ‘Ne jemi keq, por ju jeni më keq’- Pse keni zgjedhur sërish këtë strategji.
Balla: Çështja McGonigal nuk rezonon me veshët e shqiptarëve, sepse nuk ka asnjë qytetar shqiptar të vendosur nën akuzë nga ai dokumentacion, që është bërë publik. Çështja u fry nga ana e Sali Berishës dhe një pjesë e opozitës me bindjen se vetëm kshu mund të heqim vëmendjen nga ai moment që ndodheshin në 22 janar kur doli një copëz e audio-përgjimit. Mbrëmë u kuptua i gjithë skenari i 21 Janarit dhe përpjeka që u bë për mocion debat ishte për të hequr vëmendjen nga Gërdeci dhe 21 Janari.
Top Channel