Aktiviteti përkujtimor i martirëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka/ Presidenti Begaj: Na mësuan shumë pas vdekjes

02/03/2023 17:41

Presidenti Bajram Begaj ka marrë pjesë ditën e sotme në aktivitetin përkujtimor të martirëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi se pjesëmarrja në ngjarje të tilla përkujtimore, mbart peshën e madhe të përgjegjësisë historike për ta parë të kaluarën në sy.

Ai i konsideroi poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë.

Fjala e Begajt:

Të nderuar familjarë të martirëve Vilson Blloshmi e Genc Leka!
Të nderuar të pranishëm!
Pjesëmarrja në ngjarje të tilla përkujtimore, mbart në mënyrë të pashmangshme peshën e madhe të përgjegjësisë historike për ta parë të kaluarën në sy.

Ditë si këto, shërbejnë si mundësi për t’i thënë të vërtetat e historisë veçanërisht, brezit të ri, që është këtu prezent.

Vilson Blloshmi e Genc Leka  ishin dy të rinj që kishin ëndërr poezinë dhe mësuesinë. Por tragjizmi i fatit të tyre, bëri që ata të na mësojnë më shumë pas vdekjes. Që të dy lindën në mars dhe ky ishte një tjetër përkim i trishtueshëm për fatin e dy mësuesve martirë.

Në mars, shqiptarët nderojnë figurën e mësuesit dhe përmes tyre, shprehin dashurinë për shkollën dhe edukimin.

Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës ua ndërprenë ëndrrën për të edukuar brezat e rinj. Me ekzekutimin e tyre në moshën 29 dhe 36 vjeç, u shuan dhe dy poetë antikonformistë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë.
Poeti Vilson Blloshmi e kishte parandjerë se “Saharaja s’sheh ëndërra, s’sheh as drurë, s’di të ëndërrojë, s’ka këngë, s’ka as lotë…”.

Këto vargje të pabotuara të tij, fatkeqësisht, i mjaftuan regjimit për t’i ndërprerë në mes, ëndrrën më të bukur: atë të jetës!
Të nderuar pjesëmarrës!

Më lejoni të vlerësoj këtë nismë për të nderuar figurat e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, që janë ende një nga brengat në ndërgjegjen tonë kombëtare. Fatkeqësisht, historia nuk mund të çbëhet, por ne kemi detyrimin qytetar të nxjerrim prej saj mësimet e duhura. Ndryshe ajo mund të na ndëshkojë duke u përsëritur.

Veprimtari si kjo, apo dhe iniciativa te tjera si ajo e konkursit “Pyet gjyshërit”, kontribuojnë për ndërgjegjësimin e të rinjve për të shkuarën komuniste të Shqipërisë.

Të rinjtë tanë, veçanërisht ata që kanë lindur në periudhën e demokracisë, duhet të mësojnë për këtë pjesë të hidhur të historisë sonë, ku mijëra u vranë, u torturuan, u burgosën, u internuan dhe u persekutuan vetëm se mendonin ndryshe nga regjimi. Sepse ata besonin tek të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Të rinjtë tanë sot duhet ta mësojnë se regjimi i mori jetën dy mësuesve poetë në lulen e rinisë, por edhe shumë shqiptarëve të tjerë me akuza absurde dhe të sajuara të agjitacionit, propagandës dhe sabotimit.
Këto terma mund t’ju tingëllojnë joreale dhe të pakuptueshme të rinjve të sotëm, prandaj është e nevojshme që t’u shpjegohet atyre çfarë ka ndodhur në këtë vend dhe që e shkuara të mos lihet kurrë në harresë.
Kanë kaluar 46 vjet që nga ndërprerja tragjike e jetëve të dy mësuesve poetë.
Ata sot, me shumë të drejtë, konsiderohen zyrtarisht martirë dhe janë dekoruar pas
vdekjes.

Të nderuar pjesëmarrës!

Në kushtetutën tonë ka një kapitull për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Ato konsiderohen të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. Por, që këto të drejta të mos cënohen kurrë, shoqëria duhet të ndahet një herë e mirë nga e kaluara. Shqiptarët duhet të mësojnë dhe të reflektojnë më shumë për këtë periudhë, e cila ende edhe sot, fatkeqësisht i ndan shqiptarët në “ata” dhe “ne”.

Në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj të përgëzoj botuesin e krijimtarisë letrare të martirëve Profesor Bardhyl Musai, i cili në një format të denjë për martirët Blloshmi e Leka, na ka sjellë këtë botim të mrekullueshëm. Grafikat tejet shprehëse të “Piktorit të Merituar”, Anastas Konstantini – TASO, e përforcojnë mesazhin e dy poetëve.

Unë besoj që Sarahaja dhe Harabelat do të mbetet një makth i largët në historinë e Shqipërisë për sa kohë ky vend do të rrisë e edukojë Vilsonë e Gencë të lirë, të guximshëm e mendjehapur.

I përjetshëm kujtimi i martirëve, Vilson Blloshmi e Genc Leka!

Ju faleminderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA