Greqia është shokuar nga një prej aksidenteve më të mëdha hekurudhore në historinë e saj.
Një tren pasagjerësh me 350 udhëtarë është përplasur me një tren mallrash në luginën e Tembit pranë Larisës.
Si pasojë 40 persona kanë gjetur vdekjen dhe 60 janë plagosur, prej të cilëve 6 ndodhen në gjendje kritike për jetën. 270 të tjerë janë transportuar me autobusë në Selanik.
Konfirmohet se tetë shqiptarë ishin mes pasagjerëve të trenave që u përplasën afër Larisës. Dhimitër Zonga ishte në vagonin e fundit gjatë udhëtimit. Ai u dërgua në spitalin e Selanikut dhe aktualisht ndodhet në shtëpi.
Përplasja ka ndodhur pak pas mesnate kur treni i pasagjerëve me destinacion nga Athina në Selanik është përplasur me një tren mallrash me drejtim të kundërt dhe ka marrë zjarr.
Sipas dëshmitarëve okularë dy vagonet e para janë shkatërruar tërësisht, ndërsa tre vagonë të tjerë të trenit të pasagjerëve kanë dalë jashtë shinave. Mbi 40 ambulanca kanë shkuar në vendngjarje, si dhe repartet e zjarrfikësve me 150 vetë, 32 policë me 15 mjete kanë izoluar vendin e aksidentit , spitalet e gjithë zonës janë vënë në gatishmëri për të trajtuar të lënduarit, në vendngjarje ndodhet edhe ministri i Shëndetësisë.
Megjithëse shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, vlerësohet se kemi të bëjmë me një gabim njerëzor. Dyshohet se përgjegjësi i stacionit në Larisa e ka futur trenin e pasagjerëve në binarë të gabuar, duke rezultuar që të dy trenat të ndodhen në të njëjtën trase nga dy drejtime të ndryshme dhe të përplasen me forcë të madhe.
Vlerësohet gjithashtu se numri i viktimave do të rritet pasi ende nuk janë gjendur pasagjerët e dy vagonëve të parë.
Greqia ka regjistruar edhe dy aksidente të tjera hekurudhore shumë vite më parë. Pranë Dervenit në 1968 përsëri dy trena janë përplasur me pasojë vdekjen e 34 pasagjerëve dhe plagosjen e 100 të tjerëve , ndërsa edhe në vitin 1972 në një ngjarje të ngjashme 19 persona kanë vdekur nga një përplasje trenash pranë Kardhitsës.
Top Channel