Me pishtarë në duar për 1 marsin, Koreja e Jugut kremton fundin e sundimit kolonialist

01/03/2023 13:04

Me pishtarë e flamuj kombëtarë në duar, njerëzit mbushën rrugët e Cheonanit në Korenë e Jugut, qyteti ku lindi ajo që njihet si martirja e kombit, Yu Gwan-sun.

Në çdo 1 mars, vendi e kremton në këtë mënyrë lëvizjen e tij për pavarësi të nisur në 1919-tën, kur koreanët u ngritën kundër sundimit kolonialist japonez e shpallën mëvetësinë.

Lëvizja u përhap anekënd vendit, por u përball me brutalitetin e skajshëm të autoriteteve japoneze. Mijëra vetë u vranë e u arrestuan në atë përballje, që shënoi pikën e kthesës në historinë e kombit.

“Lëvizja e 1 Marsit ishte kuptimplotë sepse e kapërceu statusin shoqëror, qoftë shtresën e aristokracisë, njerëzit e thjeshtë apo klasën e ulët, pasi të gjithë njësoj e kundërshtuan sundimin japonez. Është lëvizja më e madhe kombëtare që ka pasur ndonjëherë vendi ynë”, tha Cho Han-pil drejtor i Institutit të Historisë dhe Kulturës Chungcheongnam-do.

Koreja është sot e ndarë, por në atë të Jugut, dëshira për bashkim mbetet e madhe.

“E vërteta është se ne jemi të ndarë sot. Ndarja në vetvete përbën një kontradiktë. Sot duhet të ketë bashkim, ashtu si në të kaluarën duhet të kishte pavarësi”, shtoi ai.

Kjo ishte hera e parë që një event i tillë organizohej pas 3 vjetësh, për shkak se ceremoni të tilla ishin ndaluar përgjatë gjithë kësaj kohe prej pandemisë së koronavirusit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA