Ligji për pronën shtetërore ka hyrë në fuqi në Republikën Sërpska, pavarësisht përpjekjeve të përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, për ta bllokuar atë.
Ligji për pronën e paluajtshme shtetërore që përdoret për funksionet e autoriteteve publike hyrë në fuqi më 28 shkurt, i tha Radios Evropa e Lirë autoriteti përgjegjës për çështjet pronësore në entitetin e Republikës Sërpska.
Ky ligj po shihet si përpjekje e Republikës Sërpska për të transferuar pronën shtetërore nga Bosnja në entitetin serb.
Zbatimi i ligjit është në kundërshtim me vendimet paraprake të Schmidt për të shfuqizuar dekretin origjinal të krijimit të ligjit dhe vendimit të tij të 27 shkurtit për të pezulluar hyrjen në fuqi të ligjit deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.
Republika Sërpska ka thënë se ligji synon të sigurojë që pronat e përdorura nga autoritetet e Republikës Sërpska, përfshirë edhe qeveritë lokale, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe departamentet e tjera të themeluara nga Republika Sërpska, t’i përkasin asaj.
Schmidt tha më 27 shkurt se çështja e pronës shtetërore “nuk mund të zgjidhet me veprime të njëanshme dhe ua kujtoj të gjithë vendimmarrësve se Asambleja Parlamentare e Bosnjë e Hercegovinës është vendi i duhur për ta zgjidhur këtë çështje”.
Ai tha se derisa të merret vendimi nga gjykata “duhet të shmanget pasiguria ligjore”.
Schmidt kishte tentuar të bllokonte ligjin vitin e kaluar duke e shpallur jokushtetues dekretin e lëshuar nga Zhelka Cvijanoviq, që atëbotë ishte presidente e Republikës Sërpska. Ai po ashtu tha atëbotë se Gjykata Kushtetuese e Bosnjës duhet të vendosë për këtë çështje, por njëkohësisht u bëri thirrje politikanëve në shtet që të ulen dhe diskutojnë për të ardhmen e pronave shtetërore dhe të arrijnë një zgjidhje të arsyeshme.
Vendimi i 12 prillit të vitit 2022, shënon herën e parë që Schmidt përdori fuqitë që ia mundëson zyra e tij për të vendosur për ligje apo për t’i ndryshuar ato, apo për të hequr dhe emëruar zyrtarë shtetëror. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë i mori këto fuqi për të zbatuar marrëveshjen e paqes që i dha fund luftës në Bosnjë më 1992-95.
Pavarësisht vendimit të Schmidtit, Ligji për pronat u publikua në Gazetën Zyrtare dhe u miratua nga Asambleja e Republikës Sërpska më 10 shkurt./REL
Top Channel