Kina ka akuzuar SHBA-në për reagim të tepruar pasi punonjësit federalë u urdhëruan të hiqnin aplikacionin TikTok nga telefonat.
Të hënën, Shtëpia e Bardhë u dha agjencive qeveritare 30 ditë për të siguruar që punonjësit të mos kishin aplikacionin në pronësi kineze në pajisjet federale.
Urdhri pason lëvizje të ngjashme nga BE dhe Kanada në javët e fundit.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Kinës akuzoi SHBA-në për abuzim me pushtetin shtetëror për të shtypur firmat e huaja.
“Ne i kundërshtojmë me vendosmëri këto veprime të gabuara”, u tha gazetarëve zëdhënësja Mao Ning gjatë një konference për shtyp të martën.
“Qeveria amerikane duhet të respektojë parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme, të ndalojë shtypjen e kompanive dhe të sigurojë një mjedis të hapur, të drejtë dhe jodiskriminues për kompanitë e huaja në SHBA. Sa e pasigurt në vetvete mund të jetë superfuqia më e madhe në botë si SHBA-ja, që të ketë frikë nga aplikacioni i preferuar i të rinjve si ai”, shtoi ajo.
TikTok është përballur me akuza se mbledh të dhënat e përdoruesve dhe ia dorëzon qeverisë kineze, me disa agjenci të inteligjencës të shqetësuara se informacionet delikate mund të ekspozohen kur aplikacioni shkarkohet në pajisjet qeveritare.
TikTok thotë se nuk do të përmbushte kurrë një urdhër për të ndarë të dhënat e përdoruesve dhe këmbëngul se nuk funksionon ndryshe nga kompanitë e tjera të mediave sociale.
Të hënën Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit të SHBA u tha agjencive se duhej të fshinin aplikacionin nga të gjithë telefonat e lëshuar nga shteti për të mbrojtur të dhënat konfidenciale. Disa zyra federale, përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentet e Mbrojtjes, Sigurisë Kombëtare dhe Shtetit, kanë ndaluar tashmë TikTok nga pajisjet e tyre.
Njoftimi i së martës vjen pas miratimit të legjislacionit nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA në dhjetor, i cili ndaloi përdorimin e TikTok në telefonat shtetërorë dhe i dha Shtëpisë së Bardhë 60 ditë për të nxjerrë direktiva të agjencive.
Dhe republikanët e Kongresit pritet të miratojnë legjislacion të mëtejshëm në javët e ardhshme, i cili do t’i japë Presidentit Biden fuqinë për të ndaluar aplikacionin në nivel kombëtar.
Top Channel