Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u pajtuan për përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti, duke theksuar se takimi në Bruksel ishte pozitiv dhe konstruktiv.
Pas takimit të Kurtit dhe Vuçiçit nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shefi i diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell, tha se palët u shprehën të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e propozimit.
Megjithatë, në takimin e 27 shkurtit palët nuk nënshkruan asnjë dokument. Kurti pretendoi se Serbia nuk ishte e gatshme për diçka të tillë.
“Unë nuk kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte i gatshëm për të nënshkruar. Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, theksoi Kurti.
Megjithatë, Vuçiç tha se në takimin në Bruksel nuk është biseduar për miratimin ose mosmiratimin e propozimit të BE-së, “për krijimin e planit të zbatimit”.
“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha ai.
Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar u është dorëzuar propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman. Të dyja palët e kanë pranuar këtë dokument që synon normalizimin e raporteve.
Propozimi i BE-së përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Top Channel