Escobar: Plani, jo për njohje! I dërguari i SHBA: Diskutimet për asosacionin, menjëherë

28/02/2023 19:42

Aktorët ndërkombëtarë kanë mirëpritur pranimin e planit evropian nga Kosova dhe Serbia për normalizim të marrëdhënieve.

Megjithatë, është bërë e qartë edhe nga Bashkimi Evropian që njohja nuk është synim i procesit të dialogut, por qëllim mbetet vetëm normalizimi i raporteve.

“Pra përgjigja është jo, sepse objektivi i dialogut nuk është njohja. Objektivi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Objektivi dhe mandati i BE-së në këtë dialog është t’i ndihmojë ata të arrijnë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”- tha Peter Stano – zëdhënës, BE

E i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është shprehur i bindur se Kosova e Serbia do të pranojnë planin evropian, kësisoj edhe të përmbushin zotimet e tyre, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë. Ne sugjerojmë që duhet të bëhet në një mënyrë që përfitojnë të dyja palët. Kështu, presim që të implementohet.”- tha Gabriel Escobar – emisar i SHBA për Ballkanin Perëndimor

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka mirëpritur dakordimin e palëve për planin evropian, ajo shton se pret diskutime konstruktive që çojnë në nënshkrimin e aneksit për implementimin e tij.

Takimi i 27 shkurtit mes Kosovës e Serbisë përfundoi pa nënshkrim për planin franko gjerman, kjo pritet të bëhet me 18 mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA