Arkivolet e 64 viktimave të një anijeje të mbytur emigrantësh në brigjet jugore të Italisë u vendosën të martën në pallat sporti, pesë prej arkivoleve ishin të vegjël dhe të bardhë, dhe mbanin trupat e fëmijëve që vdiqën.
Buqeta me lule zbukuronin çdo arkivol në ndërtesën në Crotone, ndërsa një makinë blu lodër ishte vendosur mbi më të voglin.
Më herët viktimat u identifikuan nga të afërmit që kishin fluturuar nga Gjermania dhe Austria.
Një burrë që fliste gjermanisht u tha gazetarëve se ishte nipi i një burri afgan, i cili mbijetoi, por humbi gruan dhe tre fëmijët e tij 5, 8 dhe 12 vjeç, pasi pagoi 30,000 dollarë që familja të kalonte. ndërkohë një fëmijë 14-vjeçar ka shpëtuar.
Katërmbëdhjetë fëmijë ishin mes 64 personave të konfirmuar se kishin vdekur kur varka e tyre e mbipopulluar u copëtua në një stuhi mëngjesin e së dielës, tha ministria e brendshme italiane.
80 të tjerë mbijetuan, ndërsa disa të tjerë besohet se janë ende të zhdukur.
Ishte një nga incidentet më tragjike në Mesdheun Qendror, të cilin dhjetëra mijëra emigrantë dhe azilkërkues kalojnë çdo vit me shpresën për të gjetur një jetë të re në Evropë.
Top Channel