Bashkia e Lezhës ka bërë të ditur projektin e saj për kremtimet e Besëlidhjes së Lezhës të vitit 1444.
Ato do të jenë një larmi aktivitetesh tematike ndërsa për herë të parë një projeksion dritash është shfaqur në malin e Shëlbuemit përbri qytetit ku shfaqen simbolet e kësaj ngjarjeje të shënuar.
Ato janë ndezur këtë mbrëmje ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili pasi prezantoi planet e kësaj bashkie për këtë festë mbarëkombëtare tërhoqi vëmendje me faktin që sipas tij vetëm për heroin kombëtar nuk ka një festë zyrtare dhe se 2 marsi, Besëlidhja e Lezhës, do të ishte zgjedhja më e mirë.
Ai shprehu bindjen se parlamenti do të veprojë në mënyrë që viti i ardhshëm, lidhja e princave shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut të kishte vëmendjen e merituar edhe me një datë të shënuar për të gjithë shqiptarët.
Në kremtimin e Besëlidhjes së Lezhës do të prezantohet edhe një muze virtual i elementeve që lidhen me këtë moment historik.
“Siç e shikoni ne po bëjmë disa përgatitje për të startuar me festën e 2 marsit që është dita simbolike për bashkimin e shqiptarëve për bashkimin e trojeve. Këtë vit kemi bërë aktivitete ndryshe me një muze virtual ku në malin përballë do të shfaqen objekte historike që lidhem me figurën e Skënderbeut. Ka edhe një dinamikë shumë të madhe aktivitetesh ku do të marrin pjesë institucione, persona e studiues nga të gjitha trojet shqiptare dhe do të organizohet një aktivitet siç i ka hije Lezhës.”-tha Pjerin Ndreu, kryebashkiaku i Lezhës.
Top Channel