Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që nuk ka nevojë për diskutime të tjera lidhur me propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
“Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime tjera për propozimin e BE-së që e ka titullin: marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë për më shumë diskutime, teksti i marrëveshjes do të publikohet”, tha Borrell.
Këto deklarata ai i bëri pas mbajtjes së rundit të ri të dialogut mes Kurtit dhe Vuçiçit nën ndërmjetësimin e BE-së.
Borrell tha se propozimi evropian, ndër të tjera, thotë se njerëzit mund të lëvizin lirshëm në Kosovë dhe Serbi, duke përdorur pasaportat e tyre, të njohura nga të dyja palët.
Sipas Bashkimit Evropian, palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar me procesin e zbatimit të marrëveshjes.
“Duhen negociata të tjera për të përcaktuar modalitetet specifike të dispozitave. Borrell do të mbajë një takim të ri me dy liderët gjatë marsit, me qëllim të finalizimit të diskutimeve për aneksin e zbatimit, që do të jetë udhërrëfyes për fazën e zbatimit të marrëveshjes”, tha më pas BE-ja përmes një njoftimi.
Kosovës dhe Serbisë në vitin e kaluar u është dorëzuar propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.
Të dyja palët e kanë pranuar këtë dokument që synon normalizimin e raporteve.
Top Channel