Beyonce dhe Sam Smith vishen nga Kievi, stilisti ukrainas tregon vështirësitë

27/02/2023 18:21

Për shumicën e stilistëve, Java e Modës në Londër ishte një shans për të debutuar koleksione të reja.

Por për stilistin ukrainas Ivan Frolov, bëhej fjalë për shumë më tepër. Ivan zgjodhi të vishte një bluzë me flamur të Ukrainës për shfaqjen e tij si një mundësi për të sjellë në vëmendje luftën.

“Ajo është ende duke vazhduar dhe ne kemi nevojë për vëmendjen që morëm në fillim”, thotë ai.

29-vjeçari foli për BBC pas shfaqjes së tij, duke thënë se kjo javë e kaluar ka qenë një e mirë në një vit të vështirë. Ivan thotë se ekipi i tij prej 35 vetash në ditët e para të luftës dhuruan makina qepëse për të bërë jelek antiplumb.

“Ne qepnim raketambajtëse dhe bënim uniforma për djemtë që kishin nevojë për madhësi të veçanta, si për shembull djemtë shumë të gjatë”, thotë ai.

Ata gjithashtu iu kthyen dizajnimit të rrobave. Ivan po përfundonte një porosi të veshjeve për videoklipin e Sam Smith.

“Ne kishim një afat shumë të shkurtër sepse na duhej të dërgonim veshjet në Poloni me tren dhe papritmas pati një ndërprerje”, tregon ai.

Në vend që të anulonte porosinë, ekipi i Ivanit gjeti një mënyrë për ta bërë atë me dorë.

“Mjeshtrat tanë të qëndisjes i ngjitën telefonat e tyre në llamba dhe përdorën dritën e pishtarit për të qëndisur me fije dhe gjilpërë,” thotë ai, pasi nuk kishte energji elektrike.

Megjithatë, lufta e bën më të vështirë dërgimin e rrobave – dhe tani duhen më shumë se 17 orë për t’u larguar nga vendi.

Nëse jeni adhurues i Beyonce, Doja Cat, Rita Ora apo Dua Lipa, mund ta keni parë punën e tij. Në janar, Ivan mori propozimin për të dizajnuar një nga veshjet për koncertin e yllit në Dubai.

Vendimi i Beyonce për të veshur një markë ukrainase në një “performancë kaq të rëndësishme” do të thoshte shumë për Ivanin.

“Ka qenë gjithmonë ëndrra ime të vishja Beyoncé, por tani ato ëndrra kanë ndryshuar. Për momentin kam vetëm një ëndërr dhe është fitorja e Ukrainës”, shprehet ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA