Kosova dhe Serbia synojnë ta arrijnë marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve “brenda këtij viti”, pohoi në një intervistë për Euractiv kryeministri Kosovar Albin Kurti, edhe pse sikurse tha ai, vështirësitë nuk kanë për të munguar, pavarësisht angazhimit të intensifikuar të Perëndimit.
“Na nevojitet normalizimi i marrëdhënieve dhe kjo mund të arrihet vetëm me njohjen reciproke si pikën kryesore. Beogradi ka qenë këmbëngulës të mos e njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por mund të pajtohet me një njohje ‘de facto'”, tha Kurti.
Propozimi i përditësuar i BE-së, i marrë nga të dyja palët përpara fillimit të një samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë dhjetorin e kaluar, por që nuk është bërë ende publik, thuhet se nuk e përfshin saktësisht njohjen e Kosovës, por lë shteg që të dy vendet të pranojnë njëri-tjetrin, ndërsa parashikon rritje te ndjeshme të ndihmës financiare dhe masa të tjera për të përmirësuar jetën e njerëzve në të dy anët e kufirit.
I pyetur për perspektivën e përfundimit të një marrëveshjeje deri në fund të këtij viti, sipas afatit kohor që është përcaktuar në propozimin e BE-së, Kurti tha, “sigurisht që ky është synimi unë”. “Ajo që ka mbetur për të negociiuar dhe nuk do të jetë aspak e lehtë është një mekanizëm për zbatim, garanci ndërkombëtare dhe sekuencë kohore se çfarë, si dhe kur”, shpjegoi ai.
Propozimi aktual i BE-së, tha Kurti, do t’i referohet “pakicave kombëtare” në preambulën e tij dhe koncepteve universale si pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, reciprociteti, të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i ligjit dhe vetëvendosja.
“Ajo që më bën optimist“, shtoi kryeministri, “është fakti se disa koncepte dhe nocione universale janë përdorur në këtë propozim në ndryshim nga dekada para ardhjes sime në pushtet, ku 33 marrëveshjet bazoheshin më shumë në një zgjidhje ideologjike të problemeve“.
Top Channel