BE-ja pret qasje evropiane nga Kosova dhe Serbia për të arritur përparim

27/02/2023 13:35

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka thënë të hënën se blloku evropian pret qasje evropiane nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në rrugën drejt marrëveshjes finale.

Kurti dhe Vuçiç do të takohen në pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson BE-ja.

I pyetur për pritjet nga ky takim, Stano ka thënë se nuk mund të parashikohet diçka e tillë.

“Gjithçka varet nga gatishmëria e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuciç që të pajtohen për rrugën përpara”.

Ai ka theksuar se BE-ja është vetëm ndërmjetësuese në dialog dhe se përparimi varet nga gatishmëria e palëve.

“Pritjet e BE-së nga liderët e të dyja shteteve, shefat negociatorë, përfaqësuesit, është qasja evropiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis evropian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”.

“Përparimi arrihet përmes kompromiseve, angazhimit konstruktiv dhe të kuptuarit se kjo është mënyra e vetme për të përmbushur synimet e tyre strategjike”.

Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiç të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.

Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA