Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj.
Të tre liderët i kanë bërë këto deklarata në një letër nisur kryeministrit Kurti, një ditë para takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në takimin e ndërmjetësuar nga zyrtarë të lartë evropianë në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.
I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.
Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
“Në konkluzionet e 9 shkurtit, Këshilli Evropian e ka shprehur mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, kanë thënë liderët evropianë.
Ata kanë thënë se presin që në takimin e 27 shkurtit të diskutohet për propozimin e BE-së dhe obligimet që dalin nga procesi i dialogut, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar më 25 shkurt se i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që tani është koha për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar. Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./Radio Evropa e Lirë
Top Channel