Festivali i Filmit në Berlin mbylli siparin. Në një edicion po ashtu befasues, por më pak politik se zakonisht, ishte një dokumentar francez kushtuar problemeve të shëndetit mendor që u vlerësua me Ariun e Artë.
“Sur l’Adamant” i Nicolas Philibert triumfoi në këtë edicion të 73-të dhe që për 10 ditë tregoi një qytet “të uritur” për kinemanë. Në Berlin, sallat u mbushën me qindra mijëra njerëz që u vunë në radhë për të parë realizimet në garë.
Në fokus është Adamant, qendër kujdesi në Paris, për persona me çrregullime mendore. Regjisori Nicolas Philibert u shpreh:
“Njerëzit më të çmendur nuk janë ata që ne besojmë. Kufiri mes mjekëve dhe pacientëve është i mjegullt”.
Aktorja e njohur amerikane, Kristen Stewart kryesoi jurinë, përvojë që u përshkrua si “e paharrueshme” nga 32-vjeçarja.
“Filmat i shihnim gjithnjë bashkë, si juri. Duke i parë bashkë, dhurohej një energji fizike që rritej dhe kjo kishte rëndësi. Puna jonë lidhej me gjetjen e filmave që na bënin më shumë të reflektonim, jo më të mirët”.
Përkrah saj, Stewart pati aktoren iraniano-franceze Golshifteh Farahani, regjisorin rumun Radu Jude, producenten Francine Maisler, regjisoren gjermane Valeska Grisebach, atë spanjolle Carla Simón fituese e vitit të kaluar e Ariut të Artë për Alcaras, si dhe maestron mitik nga Hong Kongu, Johnnie To, i njohur si regjisor, skenarist e producent.
Ariu i Artë për Filmin më të Mirë: Sur l’Adamant i Nicolas Philibert
Ariu i Argjendtë Çmimi i Madh i Jurisë: Roter Himmel i Christian Petzol
Ariu i Argjendtë Çmimi i Jurisë: Mal viver i João Canijo
Ariu i Argjendtë për Regjinë më të Mirë: Philippe Garrel për Le grand chariot
Ariu i Argjendtë për Interpretimin më të Mirë: Sofia Otero për 20.000 Species of Bees
Ariu i Argjentë për Interpretimin më të Mirë në Rol Mbështetës: Thea Ehre në Bis ans Ende der Nacht
Ariu i Argjendtë për Skenarin më të Mirë: Angela Schanelec për Music
Ariu i Argjendtë për Kontributin më të Mirë Artistik: Hélène Louvart për Fotografinë e Disco Boy
Filmi më i mirë: Here i Bas Devos
Regjia më e mirë: El Echo i Tatiana Huevos
Çmimi Special i Jurisë: “Orlando, ma biographie politique” i Paul B. Preciado dhe Samsara i Lois Patiño
Çmimi për Veprën e Parë më të Mirë: The Klezmer Project i Leandro Koch and Paloma Schachmann
Çmimi për Dokumentarin më të Mirë: El Echo i Tatiana Huevo
Top Channel