Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kërkon një takim me liderin kinez, Xi Jinping për të diskutuar nga afër me të propozimin e Kinës që synon fundin e luftës në Ukrainë përmes armëpushimit, por që për SHBA-në dhe Kievin, nuk është aq i pafajshëm sa ç’duket.
Sipas Zelenskyt, një takim i tillë do të ishte “i rëndësishëm për sigurinë në të gjithë botën”. Kreu i shtetit ukrainas la të kuptohet se disa elemente të propozimit kinez nuk janë të papërfillshëm, por në vetvete plani 12 pikësh për zgjidhje politike, sipas tij nuk është konkret e nuk I bën thirrje Rusisë që të largohet nga Ukraina. Propozimi është pritur me skepticizëm nga aleatët e Kievit. Zelensky u tha se nuk është gjë e keqe që Kina ka folur për Ukrainën. Komentet e tij megjithatë, e kishin edhe një por.
“Pyetja është se çfarë pason pas fjalëve. Pikëpyetje të shumta rrethojnë hapat e propozuar dhe se ku të çojnë ato.”- tha Zelensky.
Presidenti francez, Emmanuel Macron sakaq, i bëri thirrje Pekinit që “të ndihmojë në rritjen e presionit ndaj Rusisë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Macron, i cili ka thënë se do ta vizitojë Kinën në fillim të prillit, ka shtuar se paqja është e mundshme nëse “agresioni rus ndalet, trupat ushtarake tërhiqen dhe nëse respektohet sovraniteti territorial i Ukrainës”.
Sa për shefin e administratës amerikane, Joe Biden, atë e shqetëson edhe vetë ideja Kina të luajë rolin e paqebërësit në Ukrainë, lëvizje kjo te cilen e përshkruan si “jo racionale”.
Top Channel