Nuk ka ende asnjë të ndaluar për naftën ruse të sekuestruar nga autoritetet shqiptare në anijen cisternë “Grace Felix” në Durrës.
Fati i naftës ruse dhe ekuipazhit të bllokuar pasi dyshohet se thyen embargon me Rusinë, duke përdorur të ashtuquajturën “parajsë greke”, nuk dihet akoma.
Anija me naftën e sekuestruar dhe ekuipazhin prej 22 marinarësh është zhvendosur më afër portit detar të Durrësit për t’u mbajtur nën kontroll. Tashmë, ajo ndodhet në spirancë 1,5 milje larg bregut, ndërsa hetimet janë futur në ngërç, pasi ende nuk ka një kualifikim të veprës penale ku të bazohet akuza për personat fizikë dhe juridikë të përfshirë në thyerjen e embargos së dyshuar.
Anija e vënë në sekuestro dyshohet se u ngarkua me naftë ruse në ujërat greke, pranë portit të Kallamatës, nga një anije tjetër turke. Ngarkesa e porositur dhe përfaqësuar nga kompanitë në pronësi të familjes Bare që zotëron dhe portin e hidrokarbureve në Porto Romano nuk mundi të shkarkohet në këtë port pasi autoritetet doganore dhe policore konstatuan mangësi në dokumentacion.
Anija me flamur të Liberisë mbërriti më 14 shkurt dhe u sekuestrua 6 ditë më pas. Përfaqësuesit e ngarkesës nuk mundën të provojnë me dokumentacion origjinën e naftës që do të futej në tregun shqiptar.
Top Channel