Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë të shtunën se Gjermania dëshiron ta ketë mbështetjen e Indisë, ose të paktën të mos i pengojë përpjekjet e Perëndimit për ta bllokuar Rusinë në vazhdimin e luftës shkatërruese kundër Ukrainës.
Pas bisedimeve me kryeministrin indian, Narendra Modi, Scholz ka përmendur se shtetet në zhvillim janë duke u dëmtuar nga bllokadat në energji dhe ushqim, si pasojë e luftës, dhe shpreson që India do të ndihmojë në sigurimin e furnizimeve kritike në Azi, Afrikë dhe kontinentin amerikan.
Modi është deklaruar me kujdes, duke thënë se India dëshiron që t’i jepet fund konfliktit, përmes dialogut dhe diplomacisë.
“India është e gatshme të kontribuojë në çfarëdo iniciative për paqe”, ka thënë ai.
Ai është përmbajtur nga kritikat shtesë ndaj Rusisë, pasi Moska e furnizon Indinë me armë dhe naftë në sasi të mëdha.
Scholz ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë “ka shkelur parimet themelore të asaj për të cilën pajtohemi, që të mos ndryshojnë kufijtë përmes përdorimit të dhunës”.
Scholz ka diskutuar me Modin edhe për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik.
Ai ka thënë se mbështet një marrëveshje për tregti të lirë në mes të Bashkimit Evropian dhe Indisë, dhe se ai “personalisht do të sigurohet që kjo gjë të mos zvarritet”.
Udhëtimi i Scholzit në Indi, është i pari prej kur ka marrë pozitën e kancelarit të Gjermanisë më 2021./Rel
Top Channel