Me urdhër të Gjykatës është shoqëruar në polici Rodi Barci, i cili ishte shofer në kazinonë ku punonte 22-vjeçarja keniane që u dhunua barbarisht në Tiranë dhe humbi jetën.
Gazetarja Dorjana Bezat mëson ekskluzivisht se Barçi i cili është shoqëruar 5 ditë më parë për tu marrë në pyetje, ishte ishte ndër personat e fundit që ka takuar 22-vjeçaren keniane që humbi jetën në rrethana të paqarta.
Vendimi i Gjykatës është dhënë vetëm për kontroll banese, kurse shoqërimi i Rodi Barçit është kryer për ta marrë në pyetje. Është hera e tretë qe ai merret në pyetje në polici. Ai është shoqëruar si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës deklaron se nuk ka lëshuar ende urdhër ndalimi për persona të dyshuar mbi vdekjen e 22 vjecares keniane
Mësohet pse pas shoqërimit në komisariatin nr.1 në Tiranë, në polici ndodhet dhe vëllai dhe nëna e tij, Mateo dhe Henirjeta Barçi. Ai ka qenë në përgjim për disa kohë, periudhë gjatë së cilës janë mbledhur të dhëna të vlefshme për hetimin.
22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino. Pas hetimeve të kryera që prej gushtit, Prokuroria e Tiranës e cila e ka regjistruar çështjen për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje e ka rikthyer hetimin sërish në polici ku i janë lënë detyra të veçanta oficerëve të komisariatit nr. 1 në kryeqytet.
Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.
E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë.
Në ndihmë të hetimit priten të jenë dhe akte nga policia shkencore të marra nga dhoma e 22-vjeçares po ashtu edhe nga trupi i saj për të identifikuar personat që ajo ka takuar para ngjarjes që i rrezikoi jetën.
Nisur nga ekspertiza mjekoligjore dëmtimet më të mëdha në trupin e të resë janë shkaktuar nga rënia nga lartësia, prandaj policia ka dyshime se atë mund ta ketë shtyrë dikush nga dhoma ku qëndronte.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar, ndërsa e reja punonte në një kazino të Tiranës, ndërsa ngjarja u mbajt e fshehtë deri në muajin nëntor. Pak ditë më parë ajo ndërroi jetë në Kenia.
Top Channel