Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Kjo bisedë telefonike mes Kurtit dhe Chollet zhvillohet tre ditë para se kryeministri kosovar dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve në Bruksel.
“Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë Cholletit se për raporte normale me Serbinë, përveç njohjes reciproke, që sipas tij duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje finale, “duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.
Ky propozim, që fillimisht ishte quajtur propozimi franko-gjerman, u është dorëzuar palëve vitin e kaluar. Kurti dhe Vuçiq kanë thënë se e pranojnë të njëjtin.
Propozimi po ashtu ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga Departamenti amerikan i Shtetit deklaruan më 23 shkurt se presin që Kurti dhe Vuçiç t’i qasen takimit të së hënës në Bruksel “me frymë konstruktive të nevojshme për të ecur përpara”.
Propozimi i BE-së nuk është bërë publik. Megjithatë, Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një draft, në të cilin nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Kosova insiston që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke. Por, Serbia – që ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është vijë e kuqe për të – kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Top Channel