​Kosova përfiton 75 milionë euro për energji nga marrëveshja për “IPA 2023”

24/02/2023 13:48

Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetor IPA 2023, në vlerë prej 75 milionë euro.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se nga kjo marrëveshje Kosova do të përfitojë 75 milionë euro dhe se këto fonde do të dedikohen për sektorin e energjisë.

“Sot kam kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2023, e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën edhe një hap tjetër te rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova përfiton fonde në vlerë prej 75 milionë euro. Këto mjete padyshim se do të na ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike të cilat Kosova ashtu si të gjitha vendet e Evropës është duke i përjetuar”, tha Bislimi.

Zëvëndëskryeministri Bislimi tha se marrëveshja hyn në fuqi nga dita e sotme dhe 67.5 milionë euro pritet të disbursohen shumë shpejtë në buxhetin e shtetit.

“Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe ne menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje, pra për 67.5 milionë euro të cilat priten të disbursohen shumë shpejtë në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër prej 7.5 milionë euro do të disbursohen gjatë vitit të ardhshëm pas plotësimit të kushteve të caktuara në marrëveshjen financiare. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën tonë drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme për të adresuar edhe problemet e imponuara nga faktorët e jashtëm, ashtu që ndikimi negativ tek qytetarët të jetë minimal”, tha Bislimi.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, e ka quajtur unike që Kosova ka arritur ta çojë përpara këtë marrëveshje në më pak se tre muaj. Ndërsa, shtoi se ndarja e këtyre fondeve do t’i dedikohet sektorit të energjisë të ndikuar nga agresioni rus në Ukrainë, që jo vetëm Kosova, por e gjithë bota e ka ndjerë.

“Kjo është pjesë e një 500 milionëshi si ndihmë i partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Arsyeja pse BE-ja ka mobilizuar këtë është sepse agresioni rus i paprovokuar ndaj Ukrainës dhe ndikimi i saj në tregun botëror, e posaçërisht atij energjetik. Ka qenë një vit prej se kemi dëshmuar shkatërrimin e kësaj lufte që i ka sjell Ukrainës edhe pse nuk mund të mohojmë faktin se gjithë të tjerët e kanë ndjerë këtë në jetën e tyre”, tha Szunyog.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar më shumë për veçantinë e këtij programi.

“Mesatarisht, familjet kosovare, gjatë vitit të kaluar kanë konsumuar 4% më pak energji elektrike sesa vitin e kaluar. E veçanta e këtij programi për dallim prej shumë programeve të tjera është që ai është plotësisht në përputhje me prioritetet dhe nevojat tona, është plotësisht i ndërtuar mbi bazën e kapaciteteve tona insitutcionale dhe llogarit në kapacitetet tona institucionale për zbatimin e programit”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli ka thënë se Fondi i Efiçiencës së Energjisë me programin do të zhvillojë programe të tjera në ndihmë të familjeve kosovare.

“Në vitin e kaluar ne kemi pasur një masë për subvencionim të pajisjeve eficente për ngrohje, e cila ka përkrahur mbi 9 mijë familje përfituese me 4.9 milionë euro dhe bazuar në këtë përvojë do të zhvillohen edhe një masë e ngjashme me 10 milionë euro dhe një masë e ngjashme për biznese me 5 milionë euro për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Nga ana tjetër gjatë vitit të kaluar fondi i eficiencëns së energjisë ka zbatuar 38 projekte investim mbi 5 milionë euro. Është pikërisht ky fond që do të zbatojë me këtë program, programe të reja për familjet, në izolim të shtëpive, ndërrim të dritareve e dyerve, etj. Nuk kam dyshim se do të kemi program të suksesshëm”, tha ajo.

Në një vjetorin e luftës në Ukrainë, Bislimi ka shprehur nderime për të rënët dhe ka thënë se Kosova e njeh dhimbjen e Ukrainës pasi ka kaluar vetë nëpër një histori të tillë.

“Sot bëhen saktësisht 1 vit nga fillimi i agresionit të paprovuar të Rusisë në Ukrainë. E shoh si shumë të rëndësishme që sot të kujtojmë me dhimbje gjithë viktimat e kësaj lufte. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën, por Kosova e njeh mirë dhimbjen dhe plagën e Ukrainës sepse me një mizori të ngjashme jemi përballur edhe ne në historinë tonë jo fort larg”, theksoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA