Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 23 shkurt shprehu besimin në fitoren e shtetit të tij ndaj forcave pushtuese ruse, një ditë para përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit.
Në prag të përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit, liderët perëndimorë rritën mbështetjen e tyre për Kievin, me ministrat e G7-s që diskutuan për sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që ka përgatitur një rezolutë që bën thirrje për paqe.
“Ne nuk jemi thyer, ne kemi tejkaluar shumë sfida dhe do të triumfojmë. Do të mbajmë përgjegjës të gjithë ata që e sollën këtë ligësi, këtë luftë në tokën tonë”, tha Zelensky.
Edhe banorët e kryeqytetit ukrainas, Kiev, u shprehën të vendosur në fitoren e shtetit të tyre.
“Ky ka qenë viti më i rëndë i jetës sime dhe i të gjithë ukrainasve”, tha Diana Shestakova, 23-vjeçare, i dashuri i së cilës që një vit është duke luftuar.
“Jam e sigurt se ne do të jemi fitues, por ne nuk e dimë se sa kohë do të duhet të presim dhe sa shumë persona do të vriten deri kur të vijë kjo kohë”, shtoi ajo.
Në qytetin perëndimor ukrainas, Lviv, një artist zviceran ka shfaqur fotografitë e të gjitha viktimave në muret e ndërtesave, për t’i nderuar ata.
Në përvjetorin të parë të nisjes së pushtimit më 24 shkurt, ushtria ukrainase tha se pret që atë ditë Rusia të kryejë sulme ajrore.
Si pasojë e konfliktit njëvjeçar, pjesë të mëdha të Ukrainës janë shkatërruar dhe sipas burimeve perëndimore, deri më tani 150.000 persona kanë vdekur nga të dyja palët.
Top Channel