Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga përafrimi më i madh mes Kinës dhe Rusisë, tha të mërkurën Departamenti i Shtetit pasi presidenti rus Vladimir Putin përshëndeti forcimin e lidhjeve me Pekinin dhe sinjalizoi se homologu i tij kinez, Xi Jinping do të vizitojë Rusinë.
Fjala për vizitën e zotit Xi vijnë pasi Uashingtoni tha se Kina po shqyrton mundësinë e dërgimit të armëve për luftën e Rusisë në Ukrainë, një lëvizje që do të kërcënonte të përshkallëzonte konfliktin në një konfrontim midis Rusisë dhe Kinës nga njëra anë dhe Ukrainës dhe aleancës ushtarake të NATO-s të udhequr nga SHBA, nga ana tjetër.
Zoti Putin priti kryediplomatin kinez, Wang Yi, në Kremlin të mërkurën, dhe i tha atij se tregtia dypalëshe mes Pekinit dhe Moskës ka tejkaluar pritshmëritë dhe se së shpejti mund të arrijë në vlerën e 200 miliardë dollarëve në vit, nga 185 miliardë dollarë që ishte më 2022.
“Presim një vizitë të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës në Rusi. Kemi rënë dakord për këtë. Gjithçka po përparon, gjithçka po shkon drejt zhvillimit. Ne po arrijmë kufij të rinj”, tha zoti Putin.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se vizita e zotit Wang në Rusi në prag të përvjetorit të parë të luftës ishte një dëshmi e mëtejshme e radhitjes së Pekinit nga ana e Moskës.
“Ne jemi të shqetësuar sepse këto dy vende ndajnë një vizion,” tha zoti Price në një konferencë shtypi. “Është një vizion i një epoke në të cilën vendet e mëdha mund të kërcënojnë vendet e vogla, kufijtë mund të ndryshohen me forcë, një epokë në të cilën fuqia vendos,” tha ai.
“Nuk kemi parë deri tani që Kina t’i japë Rusisë ndihmë vdekjeprurëse, por as nuk besojmë se e kanë eliminuar si opsion”, shtoi zoti Price.
Agjencia ruse e lajmeve Tass citoi zotin Wang – i cili mbajti një takim të veçantë me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov – të ketë thënë se Kina “do t’i përmbahet në mënyrë të vendosur një pozicioni objektiv dhe të paanshëm dhe do të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen politike të krizës” në Ukrainë .
Ministria e jashtme ruse tha se mirëpret një rol më aktiv të Kinës në zgjidhjen e konfliktit dhe se vlerëson “qasjen e balancuar” të Kinës. Por në një deklaratë të veçantë, ministria tha se zoti Lavrov dhe zoti Wang nuk kishin diskutuar për një plan të supozuar kinez paqeje.
Mbështetja e fuqisë së madhe të Kinës në mes të konfrontimit më të madh me Perëndimin që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, mund t’i jape mundësi presidentit rus që ta paraqesë izolimin e Rusisë në Perëndim si një anim të Moskës drejt Azisë.
Zoti Wang i tha Presidentit Putinit se marrëdhëniet midis dy vendeve i kishin rezistuar një situate të paqëndrueshme ndërkombëtare.
Marrëdhënia midis Kinës dhe Rusisë, tha zoti Wang përmes një përkthyesi, nuk ishte e drejtuar kundër asnjë pale të tretë, por po ashtu “nuk do t’i nënshtrohej presionit të palëve të treta” – një referencë e qartë ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Së bashku ne mbështesim multipolaritetin dhe demokratizimin në marrëdhëniet ndërkombëtare,” i tha zoti Wang Presidentit rus.
Kur Presidentit Xi dhe Putin u takiuan pak para se Rusia të dërgonte trupa në Ukrainë në shkurt 2022, ata nënshkruan një partneritet “pa kufij” që shkaktoi ankth në Perëndim.
XI DHE PUTIN
Rusia tani është më e varur nga Pekini se kurrë dhe është një partner i vogël i Kinës së rigjallëruar e cila tashmë kryeson në shumë teknologji të shekullit të 21-të.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të shtunën e paralajmëroi zotin Wang për pasojat nëse Kina ofron mbështetje me armë për agresionin e Rusisë, diçka që Pekini ka mohuar se po e bën.
Pas paralajmërimeve të zotit Blinken, Kina tha se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në kushtet të bënin kërkesa.
Zoti Xi ka qëndruar pranë zotit Putin gjatë konfliktit në Ukrainë, duke i rezistuar presionit perëndimor për të izoluar Moskën. Tregtia kinezo-ruse është rritur që nga fillimi i agresionit dhe Kina është blerësi më i madh i naftës në Rusi, një nga burimet kryesore të të ardhurave për arkën e shtetit të Moskës./Voa
Top Channel