Denoncimi i Fiks Fare/ Prokuroria “harron” vendimin në sirtar, mban “peng” qytetarin në Korçë

23/02/2023 20:40

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e Prokurorisë së Korçës, e cila ka mbajtur në sirtar prej më shumë se 1 vit një vendim gjykate. Kjo vonesë ka sjellë që qytetari të mbahet “peng” nga institucionet e drejtësisë, pasi i duhet të udhëtojë vazhdimisht nga Erseka për në Korçë.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Kastriot Islami, i cili ka qenë i dënuar me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike nga ish Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai ka kryer 3.8 muaj burg, ndërkohë që është liruar me kusht nga Burgu i Drenovës në Korçë në datën 13 tetor 2021. Gjykata e Korçës vendosi që i dënuari lirohej para kohe. Koha e mbetur e dënimit prej 1 viti e 13 ditë burg ti konvertohej në provë. Gjatë kësaj kohe të mbetur, ai s’duhej të kryente vepër penale, pasi nëse do bënte automatikisht kjo kohë do i kthehej në burg.

“Vendimi u dha në tetor 2021, ndërkohë që në muajin nëntor të vitit 2021 mori formë të prerë. Pas këtij vendimi, Prokuroria e Korçës duhet që këtë vendim t’ia dorëzonte Shërbimit të Provës në Korçë, me qëllim caktimin e një plani rehabilimit, apo edhe paraqitje para këtij Shërbimi” thotë Kastrioti. Por, prokuroria harroi ta dërgonte këtë vendim kur mori formë të prerë. Madje, organi i akuzës e dërgoi vendimin në nëntor të vitit 2022, në kohën kur koha e provës kishte përfunduar.

Prokuroria e “harroi” në sirtar këtë vendim. Qytetari u njoftua pas 1 viti se i fillonte koha e provës. Ai e kundërshtoi, por akuza e kërcënoi se nëse nuk shkonte te Shërbimi i Provës koha e mbetur do ti kthehej në burg. Aktualisht, Kastrioti vijon që të paraqitet 1 herë në javë në Shërbimin e Provës. “Më duhet të lë punën, familjen dhe për faj të prokurorisë duhet të paraqitem. Nuk lëviz dot në asnjë vend, më kanë marrë dhe pasaportën. Unë e kreva dënimin për fajin që kisha bërë. Përse më mbajnë peng” përfundon Kastrioti.

Pas ankesës, denoncuesi shkon dhe interesohet në Prokurorinë e Korçës, duke tentuar të takojë prokurorin Leonard Suçi. Ky prokuror nuk e takon, ndërsa punonjësit e orientojnë të bëjë kërkesë me shkrim. Më pas, ai takon drejtuesen e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori. Kjo e fundit pranon se gabimi është i prokurorisë, ndërsa tenton që të negociojë me denoncuesin që të paktën Shërbimi i Provës t’i japë 1 muaj leje. Ajo merr në telefon drejtorin e Shërbimit të Provës, Kiço Koço, i cili është i gatshëm t’ia japë këtë leje, por këmbëngul që qytetari të marrë zgjidhje përfundimtare. Në fund, kryeprokurorja e Korçës i thotë qytetarit se ka të drejtë, por që s’kanë fuqi të mëtejshme ligjore. Më pas, Kastrioti takon një sekretare e cila i thotë “mos na hap telashe, mos na pri në besë”.

Pas kësaj përgjigjeje, qytetari shkon te Shërbimi i Provës, ku drejtori Kiço Koço i thotë se “prokuroria e ka sjellë me vonesë vendimin dhe për këtë arsye e vetmja mënyrë është ankimimi në gjykatë”.

Gazetarët e Fiks Fare shkojnë te Shërbimi i Provës, për të marrë të gjithë praktikën e ndjekur për këtë rast. Drejtori Kiço Koço pranon se “kushti fillon kur vendimi merr formë të prerë, por prokuroria e ka sjellë me vonesë 1 vit”. Pra, e kishte dërguar kur dënimi kishte përfunduar! Më tej, drejtori tha se Prokuroria e Korçes nuk e dërgoi vendimin  kur mori formë të prerë në nëntor 2021, por e dërgoi atë në nëntor 2022. Në shkresë, prokuroria e ka kërcënuar qytetarin se nëse nuk e kryen kushtin, pjesa e mbetur e dënimit prej 1 viti e 13 ditë do ti konvertohet në burg. “Vendimin e merr prokuroria, ne vetëm zbatojmë” thotë drejtori i Shërbimit të Provës.

***

Prokuroria Korçë

Denoncuesi – Ta takoj këtë Leonardin (prokurorin), Kastriot Islami.

Punonjësi – Prokuror, ka ardhur Kastriot Islami dhe do një takim. Ëhë … Po se kam orientuar prokuror, më tha vetë. Mirë në rregull.

Denoncuesi – Te Shërbimi i Provës?

Punonjësi – Do bësh kërkesë kush e ka pasur çështjen.

Takon drejtuesen e Prokurorisë së Korçës

Denoncuesi – S’po lëviz dot.

Drejtuesja e Prokurorisë – S’po lëviz dot ti?! Po me Kiço Koçon (drejtorin e Shërbimit të Provës) nuk ke folur? Që të japë leje, të lëvizësh. Ku do vesh ti?

Denoncuesi – Do të iki në Itali.

Drejtuesja e Prokurorisë – Dhe s’do të vish më?

Denoncuesi – Po jo më s’do vij, mund të rri 1 muaj, mund të rri 2 muaj. Varet si venë punët. Unë kushtin këtu e kisha mbaruar, po të kisha ndëjtur në burg kisha marrë një 3 mujorësh. Kisha dalë që vjet në gusht.

Sekretarja – S’ia ka bërë Ilia.

Drejtuesja e Prokurorisë – S’ka faj!

Drejtuesja e Prokurorisë – (Telefonon Drejtorin e Shërbimit të Provës)

Kiço Koço – Përshëndetje Dhorina.

Drejtuesja e Prokurorisë – Përshëndetje  Kiço si je ti mirë?

Kiço Koço – Mirë.

Drejtuesja e Prokurorisë – E di pse të bezdisa, kemi një zotëri në fakt është Kastriot Islami, duhet ta dish dhe ti si rast.

Kiço Koço – Kemi folur.

Drejtuesja e Prokurorisë – E di kemi folur, jemi sqaruar. Po dhe ky zotëria ka shumë halle.

Kiço Koço – Që ka ardhur urdhri me vonese.

Drejtuesja e Prokurorisë – Me vonesë!

Kiço Koço – Kemi bërë dhe korrespondencë me prokurorinë.

Drejtuesja e Prokurorisë – E di, e di. Tani, nuk është faji juaj, edhe faji jonë s’mund të themi që është po jemi në një situatë që s’e dimë kush është fajtor. Si do ta zgjidhim?

Kiço Koço – Me një shkresë nga prokurori, na ka ardhur sot ku thuhet shprehimisht që të fillojë periudha e mbikëqyrjes në momentin që na ka ardhur urdhri.

Drejtuesja e Prokurorisë – Jo, jo shiko tani ça po të them. Meqenëse ky ka këtë hallin shëndetësor dhe do 1 muaj leje, ju nuk operoni që ti jepet 1 muaj se ka hall familjar.

Kiço Koço – Mirë dakord, po ai thotë për të gjithë periudhën.

Drejtuesja e Prokurorisë – Jo, jo të paktën këtë 1 muaj të lëvizë se …

Denoncuesi – Po mirë më të gjithën ta heqë.

Drejtuesja e Prokurorisë – Po s’e heqim dot se jam me Kastriotin këtu.

Denoncuesi  – Po s’mund ta mbyllë prokurori këtë çështjen.

Drejtuesja e Prokurorisë – Po ta shpjeguam 100 herë.

Sekretarja – Këtë po e merr kryeprokurorja (e Korçës).

Denoncuesi – Po (më ka humbur) sidomos pasaporta.

Drejtuesja e Prokurorisë – Po ke shumë të drejtë po s’e di çka ndodhur.

Denoncuesi – Unë vajta në prokurori, ne Krimet e Rënda (sot SPAK).

Drejtuesja e Prokurorisë – E di që ke vajtur.

Denoncuesi – Më morën në telefon.

Drejtuesja e Prokurorisë – Dëgjo, ne këtu (te pasaporta) s’kemi fare faj, nëse më parë kishim te Shërbimi i Provës, këtu jemi 0 fajtorë.

Denoncuesi – Të vijoj me gjyqet dhe të marr andej nga gazetaria. S’kam ç’bëj! Kam ardhur 100 herë.

Sekretarja – Kjo është si e prerë në besë quhet .

Drejtuesja e Prokurorisë – Shko mbaro 1 muaj pastaj flasim.

Denoncuesi – Avash – avash po ç’kusur kam unë.

Drejtuesja e Prokurorisë – Ik se u sqaruam Kastriot.

Denoncuesi – Ç’faj kam unë?!

Drejtuesja e Prokurorisë – S’ke faj Kastriot.

Denoncuesi – Ti s’mund të lëshosh se ky në bazë të vendimit të gjykatës ka mbaruar.

Drejtuesja e Prokurorisë – Unë do të të ndihmoj, as ti s’ke faj. Do ta zgjidhim.

Denoncuesi – S’mund ta heqë dot prokurori, ai thjesht të tha të sqaroi që merr diçka nga prokurorja që në bazë të vendimit të gjykatës, filani ka mbaruar me Shërbimin e Provës.

Drejtuesja e Prokurorisë – Po nuk e bën se nuk është e ligjshme kjo. S’e bën dot prokurori.

Denoncuesi – Është e ligjshme të bëj unë 1 vit burg?

Drejtuesja e Prokurorisë – Po jo s’është burg!

Denoncuesi – Po burg për mua është.

Drejtuesja e Prokurorisë – Tani më dëgjo pak.

Denoncuesi – Edhe më kërcënon në letër ëëë.

Drejtuesja e Prokurorisë – Kush, prokurori?

Denoncuesi – Prokurori, që më kish dërguar.

Drejtuesja e Prokurorisë – Prokurori është i ri.

***

Shërbimi i Provës

Drejtori Kiço Koço – Më vjen keq nuk varet nga ne ajo gjë. Ne jemi detyruar të mbajmë kontakte. Ne kemi bërë shkresë, e kemi shpjeguar problemin tënd.

Denoncuesi – Na stresuar.

Drejtori Kiço Koço – Po ta vendos prokurori ose ta kërkosh ti nëpërmjet gjyqit. Ne i thamë prokurorit që është kjo situatë, ka ardhur me vonesë. Prokurori thotë jo, që kur është paraqit (dërguar vendimi te Shërbimi i Provës).

Denoncuesi – Po ç’kusur kam unë i varfri të bëj një burg tjetër, i bie 1 vit burg.

Drejtori Kiço Koço – S’po të them gjë.

Denoncuesi – Jam shumë peng. Jua kam qarë hallin, jam shumë, shumë peng.

Drejtori Kiço Koço – Unë s’po të them gjë, po ti ke të drejtë ta kërkosh me gjyq këtë gjë. Ligji kështu është.

******************************

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA