“Bankers Petroleum Albania” prodhoi rreth 540 mijë ton naftë në Patos-Marinëz gjatë 2022-shit

23/02/2023 12:20

Prodhimi i naftës në vendburimin Patos-Marinëz arriti në rreth 540 mijë ton vitin e kaluar, pasi Bankers rifilloi shpimin e puseve të reja.

Investimet u rritën gjatë vitit 2022 për shkak të çmimeve më të larta të naftës në tregjet ndërkombëtare, të cilat përmirësuan kapitalin e kompanisë.

Bankers është kompania më e madhe e prodhimit të naftës, e cila përfaqëson rreth 90% të totalit të naftës së prodhuar në vend dhe zë një pjesë të konsiderueshme në eksportet shqiptare.

Burime zyrtare të Bankers konfirmojnë se në fund të vitit pagesat e rentës minerare arritën në mbi 48 milionë dollarë. Krahasuar me vitin 2021, kompania ka rritur pagesat e rentës minerare ndaj shtetit shqiptar me 50% duke rikonfirmuar pozicionin e saj si një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend. Renta minerare e paguar nga Bankers dominon buxhetin e doganave duke përfaqësuar rreth 80% të totalit të rentës të paguar në Shqipëri.

Burimi: Bankers Petroleum Albania

Në total, që nga fillimi i veprimtarisë së saj në Shqipëri, Bankers ka paguar më shumë se 675 milionë dollarë rentë minerare në buxhetin e shtetit shqiptar. Ndërsa në total, taksat e paguara ndaj qeverisë arritën në rreth 890 milionë dollarë në fund të vitit 2022.

Burime zyrtare nga Bankers konfirmojnë se kompania do të vazhdojë të jetë një investitore me vlerë për një periudhë afatgjatë dhe është reciprokisht ndihmuese dhe përfituese me qeverinë shqiptare.

“Ne kemi plane ambicioze për vitet në vijim. Krahas shpimit të puseve të reja horizontale kemi hartuar edhe strategjinë e re për të prodhuar me teknologji të avancuara, si metoda termike, e cila rrit energjinë në shtresa dhe shtyn më shumë naftë në sipërfaqe”bëjnë të ditur drejtuesit e Bankers.

Ata konfirmojnë se po ndërmerren hapa të rëndësishëm në projektet mjedisore pasi kompania tashmë ka filluar trajtimin e mbetjeve të naftës dhe ka plane ambicioze për të trajtuar të gjithë llumin që prodhohet gjatë operacioneve hidrokarbure.

“Projekte të tjera të rëndësishme që do të vijojnë këtë vit janë modernizimi i rrjetit energjetik, proces ky i rëndësishëm në përmirësimin e standardeve mjedisore”.

Rezultatet kryesore nga 2004 deri në 2022

890 milion USD – taksa të paguara në total

675 milion US$ –  rentë minerare të paguara

20.7 milion US$ – taksa vendore të paguara

49.4 milion USD – akcizë

25.3 milion USD – sigurime shoqërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA