Afrika e Jugut mbron vendimin për stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Rusinë

23/02/2023 08:47

Ushtria e Afrikës së Jugut ka mbrojtur vendimin e saj që të jetë nikoqire e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe Kinën, që mbahen në përvjetorin e parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Fillimisht ishte planifikuar që stërvitjet kundërthënëse të mbaheshin javën e kaluar, por stërvitjet e quajtura Mosi-II nisën të mërkurën në bregun lindor të Afrikës së Jugut.

Por, nisja e stërvitjeve dy ditë para përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit të Ukrainës bëri që komentatorët të argumentonin se mbajtja e stërvitjeve në këtë kohë tregon “pandjeshmëri”.

Mbajtja e këtyre stërvitjeve është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Afrika e Jugut ka refuzuar që të dënojë pushtimin rus të Ukrainës, duke argumentuar se preferon dialog për t’i dhënë fund luftës.

“Ka dallim midis ushtrisë dhe politikës”, tha gjenerallejtënant Siphiwe Sangweni, shef i operacioneve të përbashkëta të Forcave Mbrojtëse të Afrikës së Jugut gjatë një konference për media nga qyteti-port, Riçards Bej.

Ai tha se ushtria u “udhëzua nga Qeveria”, por po ashtu kishte nevojë që të mësonte aftësi të tjera nga ushtritë e shteteve të tjera për të mbrojtur Afrikën e Jugut dhe sa i përket operacioneve paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Po, ka shtete që ndihen ndryshe nga qasja jonë, por të gjitha shtetet sovrane kanë të drejtë të veprojnë siç duan”, tha ai.

Sangweni tha se “bashkëpunimi dhe koordinimi me të gjitha ushtritë e tjera” është “shumë i rëndësishëm”.

Mbi 350 pjesëtarë të forcave të armatosura të Afrikës së Jugut do të marrin pjesë në stërvitjet që do të përfundojnë më 27 shkurt. Rusia është “shteti udhëheqës” i këtyre stërvitjeve, tha Afrika e Jugut.

Në stërvitje do të përfshihen edhe një luftanije ruse e pajisur sistemet e raketave të fuqishme ruse, Zircon, dhe armë kineze.

Ushtria ruse tha përmes një deklarate se luftanija ruse “Admiral Gorshkov” do të përdoret për të ushtruar taktikat se si mund të zmbrapsen kërcënimet që mund të vijnë nga deti.

Në këto stërvitje, Brazili do të marrë pjesë si vëzhgues. Kjo është hera e dytë që ky shtet merr pjesë në këtë cilësi në stërvitjet ushtarake ku kanë qenë të përfshira Afrika e Jugut, Kina dhe Rusia./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA