Trenin e Partisë Demokratike drejt zgjedhjeve lokale po braktisin një nga një aleatë të rinj dhe të vjetër.

Të parët që zbritën në stacion ishin Çamët e Shpëtim Idrizit duke krijuar një konfigurim të ri në Parlament që fuqizon kartonët e mazhorancës socialiste.

Por,  jo vetëm PDIU, edhe Dashamir Shehi aleat tradicional i Partisë Demokratike shpalli divorcin me demokratët duke krijuar një aleancë parazgjedhore  me Bindjen Demokratike.

“Bëjmë një derë, një adresë të re, për njerëzit që nuk janë të kënaqur me Berishën dhe Metën ne i ofrojmë një shanc ndryshe. Këto vetë si personazhe nuk janë më të besueshme për ndryshimin e Shqipërisë. Bëjnë rotacion, por jo ndryshim”, tha Dashamir Shehi kreu i LZHK-së.

Kodi Zgjedhor që imponon listë të përbashkët për Këshilltaret Bashkiakë ka ndikuar edhe në kalkulimet  elektorale të Agron Dukës, i  cili ka vendosur të dalë  i vetëm në zgjedhjet e pranverës.

“Duke qenë se Partia Agrare Ambientaliste ka që në 2015 që nuk ka garuar as për zgjedhe parlamentare as për zgjedhje vendore atëherë menduam që patjetër duhet të shohim sesa besim kemi në elektorat. Të kandidojmë për Keshill Bashkiak, me siglen e Partisë Agrare Ambientaliste”, u shpreh Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste.

Ndryshe nga aleatet e tij Sali Berisha sytë i ka drejt Bashkive, ku krahas rivalit socialist përballë do ketë edhe kandidatet e Enkelejd Alibeajt, i cili ka nisur fushatën në terren. Por, një vendim i Apelit tri ditë para skadimit të afatit për regjistrimin e subjekteve politike mund të përmbysë realitetin në selinë blu.

“Më 3 mars, asgjë nuk do të ndodhë, do të zbatohet ligji. Sigla, vula, zemra e PD i takon këtyre njerëzve. Të pranojmë verdiktin e Gjykatës secila nga palët, unë do e pranoj, ne do e pranojmë“, tha Enkelejd Alibeaj.

Nëse logo dhe vula zyrtare i mbetet trashigimtarit të Lulzim Bashës në PD, atëhere Ilir Meta pritet të jetë streha e vetme për kandidatët e Sali Berishës në betejën e pranverës.

Top Channel