Për më shumë se pesë shekuj asgjë nuk kishte ndaluar prodhimin e gëzofit dhe më pas peliçet e famshme në Kostur dhe Siatista, dy zona të Greqisë së Veriut ku 80% e banorëve mbijetonin nga industria e gëzofit dhe eksportet e produkteve të tij kryesisht në tregjet e Rusisë dhe Ukrainës.
Por pandemia dhe lufta , me sanksionet e BE ndaj Rusisë, sollën katastrofën dhe sipas shifrave zyrtare, gjysma e 4000 artizanëve të gëzofit në këto zona u detyruan të braktisin profesionin, ndërsa u mbyllën edhe më shumë se gjysmat e fermave me miliona vizonë të vrarë pasi rezultuan pozitivë me koronavirus.
“Që nga fillimi i luftës, puna jonë ka vdekur. Asgjë. Nuk ka rusë, nuk ka turistë për t’u shitur. Nuk ka fare interes”- tha Maria Fotis, prodhuese.
“Vendet që janë përfshirë në luftë janë tradicionalisht klientët tanë për gëzofin dhe kjo na ka shqetësuar e dëshpëruar.”– tha Fanis Dallas, mjeshtër gëzofi në kompaninë CPL.
Në vitin 2019 gëzofi ishte ndër 12 eksportet më të mira të Greqisë dhe disa prej peliçeve që prodhoheshin këtu shiteshin deri në 200,000 euro. Eksportet kapnin shumën prej 108 milionë eurosh, gjysma e tyre në Rusi, por edhe në Ukrainë apo në Emiratet e Bashkuara Arabe. Tashmë në pamundësi për të eksportuar mallrat e tyre, disa prej artizanëve vendas po shpërngulen në Rusi për të gjetur punë.
“Është një sektor që është absolutisht i lidhur me zonën tonë. Nuk ka zgjidhje alternative për mbijetesën profesionale dhe ekonomike të njerëzve. Ne po kërkojmë me dëshpërim rrugën që do të mbajë gjallë rajonin tonë, punën tonë, jetën tonë, familjet tona.”– tha Stelios Porporis, drejtor marketingu i CPL
Gjithashtu prodhuesit e gëzofit po përpiqen të gjejnë tregje të reja në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Kinë, Japoni dhe Kore dhe nuk përjashtojnë edhe mundësinë për ta braktisur këtë industri, pasi ka edhe shumë protesta nga organizatat e të drejtave të kafshëve.
Top Channel