Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u takua në Poloni me homologen e tij moldave, Maia Sandu, në kohën kur janë rritur shqetësimet se Moldavia mund të jetë shënjestra e radhës e Rusisë pas Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë tha pas këtij takimi se Biden “riafrimoi mbështetjen e fuqishme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Moldavisë” gjatë takimit të 21 shkurtit me presidenten Sandu.
Biden ka theksuar përpjekjet e Uashingtonit “për të ndihmuar Moldavinë që të forcojë qëndrueshmërinë e saj politike dhe ekonomike, përfshirë edhe në agjendën e reformave demokratike dhe të sigurisë energjetike dhe të adresojë efektet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë. Zyra e Sandus ende nuk ka reaguar lidhur me këtë takim.
Sandu ka qenë një zë konsistent pro-Bashkimit Evropian në skenën politike të Moldavisë, dhe Qeveria e re pro-Perëndimore e udhëhequr nga kryeministri Dorin Recean, bëri betimin javën e kaluar.
Sandu vazhdimisht ka akuzuar Moskën se po kërkon të destabilizojë shtetin e saj dhe së fundmi i ka bërë thirrje Perëndimit që të japë armë për mbrojtjen e Moldavisë, shtet që nuk është në NATO, por është shtet kandidat për anëtarësim në BE.
Rusia ka rreth 1.100 trupa në depotë e armëve sovjetike që gjenden në rajonin e Transnjestërit në Moldavi. Sandu po ashtu ka kërkuar që Rusia të tërheqë trupat dhe Recean po ashtu ka përsëritur thirrjet për tërheqjen e trupave ruse. Në përgjigje, Kremlini i bëri thirrje Moldavisë të tregojë kujdes me deklaratat lidhur me forcat ruse. Moldavia ndan 1.200 kilometra kufi me Ukrainën.
Javën e kaluar, Sandu sugjeroi, së bashku me akuzat e bëra nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, se ka një plan rus për të organizuar një grushtshtet në Moldavi. Ky plan, sipas saj, është menduar që të maskohet pas protestave opozitare në Moldavi.
Rusia ka mohuar se po planifikon të destabilizojë Moldavinë, duke thënë se këto pretendime “janë krejtësisht të pabaza dhe të paqëndrueshme”. Departamenti amerikan i Shtetit tha se raportimet lidhur me planin nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, DASH tha se kjo “nuk është jashtë sjelljes së Rusisë dhe ne absolutisht qëndrojmë me Qeverinë moldave dhe popullin e Moldavisë”.
Në Moldavi ka pasur protesta kundër Sandus dhe Qeverisë pro-perëndimore moldave. Mijëra persona kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Shor, që ka lidhje me Rusinë, dhe që udhëhiqet nga politikani dhe biznesmeni në arrati, Ilan Shor.
Më 10 shkurt, Rusia lëshoi një raketë që kaloi përmes hapësirës ajrore të Moldavisë dhe përfundoi në Ukrainë. Pas këtij incidenti, Moldavia thirri në bisedë informative ambasadorin rus. Rajoni Transnjestër, që banohet kryesisht me banorë rusishtfolës, ka shpallur pavarësinë nga Moldavia më 1990, teksa Moldavia ka shprehur frikën se ky rajon do të kërkojë të bashkohet me Rumaninë, shtet me të cilin ndan historinë dhe gjuhën e njëjtë./Rel
Top Channel