Uashingtoni dhe Seuli nisin stërvitjen ajrore, mes kërcënime të Phenianit

19/02/2023 16:16

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut zhvilluan të dielën një stërvitje të përbashkët ajrore me avionë bombardues strategjikë amerikanë.

Stërvitja vjen vetëm një ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi krejt papritur një raketë balistike ndërkontinentale ‘Hwasong-15’.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm së Koresë së Jugut tha se stërvitja, që përfshiu avionët F-35A, F-15K dhe F-16 të Koresë së Jugut, të cilët shoqëruan bombarduesit amerikanë B-1B, demonstroi kapacitetet e fuqishme të mbrojtjes e gatishmërinë e lartë të dy vendeve aleate.

Një ditë më parë Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi drejt brigjeve perëndimore të Japonisë, pas një paralajmërimi për përgjigje të fortë ndaj stërvitjeve të ardhshme ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.

Media shtetërore të Koresë së Veriut njoftuan se stërvitja ishte e papritur dhe u krye me qëllimin për të dëshmuar kapacitetet kundërsulme fatale bërthamore, ndaj atyre që u cilësuan, si forca armiqësore.

Stërvitjet e planifikuara mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara do të reflektojnë kërcënimin bërthamor që paraqet Koreja e Veriut si dhe mësimet e nxjerra nga agresioni rus në Ukrainë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA