Kryesuesit e Tiranës do të përballen në këtë javë të 22-të të Abissnet Superiores me vendin e fundit të klasifikimi Kastriotin.
Bardheblutë vijnë pas humbjes së klasikes në këtë ndeshje me Vllazninë, një ndeshje e vendosur nga një penallti e dyshimtë që ka patur diskutime gjatë gjithë javës.
Megjithatë trajneri Orges Shehi në prag të përballjes me krutanët tregon se ai moment është tejkaluar.
Fakti që kundërshtari i radhës ndodhet në vendin e fundit në klasifikim nuk ka asnjë domethënie për këto 90 minuta të së dielës për trajnerin e Tiranës.
“Është e vërtetë që janë dy ekstremet, vendi i parë me vendin e fundit, por mos harrojmë që në kampionatin tonë diferencat janë shumë të vogla. Nuk është se janë shumë të mëdha në një ndeshje futbolli”, u shpreh trajneri i Tiranës, Orges Shehi.
Në këtë ndeshje krutanët do të vijnë me trajnerin e rikthyer Emiljano Çela pas largimit të Ardian Memës pak ditë më parë. Ndërkohë që Çela është një emër i njohur për ekipin e Kastriotit pas eksperiencës pozitive një vit më parë. Ndeshja tjetër e së dielës është ajo mes Egnatias dhe Vllaznisë.
Top Channel