Pas disa orësh kërkimi, policia kapi dhe arrestoi 20-vjeçarin Ramadan Malo, i cili plagosi me thikë një 23-vjeçar në qytetin e Shijakut.
Penalisht është proceduar në gjendje të lirë dhe një i ri për moskallëzim të këtij krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Popullore”, pas një konflikti mes 2 të rinjve, për motive të dobëta, shtetasi B. K., 23 vjeç, ishte plagosur me thikë, nga shtetasi Ramadan Malo, dhe ky i fundit ishte larguar nga vendngjarja, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorit të kësaj plagosjeje.
Pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet e Policisë, rreth orës 22:00 të ditës së djeshme, u bë i mundur lokalizimi i shtetasit Ramadan Malo, 20 vjeç dhe arrestimi i tij për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. M., 25 vjeç, pasi dyshohet se duke patur dijeni, nuk ka kallëzuar për këtë krim.
I plagosuri B. K. mori asistencën mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet e mëtejshme do të kryhen nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel