Hemoglobina është një proteinë që gjendet në qelizat e kuqe të gjakut. Këto qeliza janë përgjegjëse për transportimin e oksigjenit nëpër trup.

Por jo vetëm kaq! Hemoglobina ndihmon trupin që të kryejë funksione të ndryshme. Në rastet kur nivelet e hemoglobinës janë të ulta atëhere edhe trupi juaj mund të vuajë në mënyra të ndryshme.

Ushqimi dhe suplementet mund të ndihmojnë në rritjen e niveleve të hemoglobinës. AgroWeb.org ju njeh me to më poshtë si edhe me disa këshilla mjaft të vlefshme për kujdesin që duhet të tregoni.

Konsumoni më tepër produkte të pasura me hekur

Një person me nivele të reduktuara të hemoglobinës mund të përfitojë nga konsumi i ushqimeve të pasura me hekur. Hekuri punon për të rritur prodhimin e hemoglobinës, e cila gjithashtu ndihmon në formimin e më shumë qelizave të kuqe të gjakut.

Ushqimet e pasura me hekur janë:

mishi dhe peshku

vezët

frutat e thata

brokoli

perimet me gjethe jeshile

bishtajat

arrorët dhe farat

gjalpi i kikirikut

Risni konsumin e ushqimeve të pasura me folat

Folati është një lloj vitamine B që luan një rol thelbësor në prodhimin e hemoglobinës. Nëse një person nuk merr mjaftueshëm folate, qelizat e kuqe të gjakut nuk do të jenë në gjendje të prodhohen, gjë që mund të çojë në ulje të nivele të hemoglobinës.

Burimet e mira të folatit përfshijnë:

Mishin e viçit

spinaqin

orizin

kikirikët

bizelet

fasulet

avokadot

marulet

Ju mund të blini edhe suplemente folati.

Ndihmoni trupin të përthithë sa më mirë hekurin

Ushqimet e pasura me vitaminë C, të tilla si agrumet, luleshtrydhet dhe perimet me gjethe jeshile, mund të rrisin aftësinë e trupit për të përthithur hekurin. Vitamina A dhe beta-karotina mund të ndihmojnë trupin në thithjen dhe përdorimin e hekurit.

Ushqimet e pasura me vitaminë A përfshijnë:

peshkun

mëlçitë

kungullin

patatet e ëmbëla

lakra jeshile

Ushqimet me përmbajtje të lartë beta-karoteni përfshijnë frutat dhe perimet e verdha, të kuqet dhe ato në ngjyrë portokalli, të tilla si:

karotat

patatet e ëmbëla

kungulli

pjepri

mango

Nëse zgjidhni të merrni suplemente të vitaminës A duhet të tregoni kujdes me sasinë sepse mund të jetë e rrezikshme.

Ajo mund të shkaktojë simptoma të tilla si dhimbje kockash dhe kyçesh, dhimbje të forta koke dhe rritje të presionit brenda trurit.

Merrni suplemente hekuri

Një mjek mund të këshillojë një person me nivele jashtëzakonisht të ulëta të hemoglobinës që të marrë suplemente hekuri. Doza do të varet nga gjendja e personit. Është e rëndësishme të theksohet se marrja e sasive të larta të hekurit mund të jetë e rrezikshme.

Cilat janë nivelet normale të hemoglobinës?

Një mjek do të kontrollojë për nivelet e hemoglobinës me anën e një testi gjaku.

Hemoglobina e ulët diagnostikohet kur një mashkull ka më pak se 13,5 gram për decilitër (g/dL) hemoglobinë në gjak, ose kur një grua ka më pak se 12 g/dL.

Një person mund të ketë një nivel të ulët të hemoglobinës për një sërë arsyesh, duke përfshirë:

aneminë nga mungesa e hekurit

shtatzëninë

probleme me mëlçinë ose veshkat

semundje kronike

Gjithashtu është e mundur që nivelet e hemoglobinës të reduktohen në mënyrë natyrale pa ndonjë shkak të rëndësishëm. Disa mund të kenë hemoglobinë të ulët dhe të mos kenë simptoma

Ndërsa tek fëmijët, nivelet e duhura të hemoglobinës ndryshojnë në varësi të moshës. Kushdo që shqetësohet për nivelet e hemoglobinës së një fëmije duhet të flasë me një mjek.

Njerëzit me nivele shumë të ulëta të hemoglobinës mund të kenë nevojë për trajtim shtesë nëse marrja e suplementeve dhe ndryshimi i dietës nuk tregojnë rezultate të mjaftueshme.

Simptomat e niveleve jashtëzakonisht të ulëta të hemoglobinës 

Simptomat mund të jenë:

rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës

lëkurë të zbehtë

lodhje

dobësi e muskujve

mavijosje të shpeshta ose të pashpjegueshme

dhimbje koke të përsëritura

Shkaqet e hemoglobinës së ulët

Një person me hemoglobinë të ulët mund të ketë anemi. Shkaqet e zakonshme të anemisë përfshijnë:

mungesë të hekurit, vitaminës B-12 ose folatit

humbje të konsiderueshme të gjakut

kancere që prekin palcën e eshtrave, si leucemia

sëmundje të veshkave

sëmundje të mëlçisë

hipotiroidizmi, ose një gjëndër tiroide që nuk prodhon mjaftueshëm hormone

talasemia, një sëmundje te trashëgueshme që pengon funksionimin e duhur të hemoglobinës

sëmundje e mushkërive

pirja e duhanit etj.

Shumë njerëz mund të rrisin nivelet e hemoglobinës me ndryshime në mënyrën e të ushqyerit dhe më ndihmën e suplementeve. Bisedoni me një mjek për të përcaktuar dozën e saktë të suplementit. Por nëse nivelet e hemoglobinës mbeten të ulëta, një person mund të ketë nevojë për trajtim të mëtejshëm, siç është transfuzioni i gjakut. /AgroWeb

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA