Ashtu siç kishte paralajmëruar, shefi i politikës së Jashtme të bllokut, Josep Borrell i ka ftuar një takim të nivelit të lartë politik liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Si datë e takimit është caktuar 27 shkurti. Nga sa pohon shërbimi i jashtëm i BE-së thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Takimi do të përqendrohet tek propozimi europian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në janar të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje në bazë të propozimit ndërsa u thanë se duhet të deklarojnë deri në mars nëse e pranojnë planin ose do të përballen me pasoja.
Krerët e të dy vendeve e kanë pohuar tashmë se e pranojnë në parim propozimin. Prishtina dhe Beogradi i nisën në 2011-tën negociatat e ndërmjetësuara nga blloku europian. Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Top Channel