​Blinken uron Kosovën për Pavarësinë: Përparimi është i jashtëzakonshëm në këto 15 vite!

17/02/2023 11:42

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë.

Në letrën e tij, Blinken ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në këtë 15 vjet, duke shprehur mirënjohje për rreshtimin e saj krah vendeve perëndimore në rastin e Afganistanin dhe luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse”, thekson  Blinken.

Letra e plotë:

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës në përvjetorin tuaj të pesëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur.

Këtë vit, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova riafirmuan partneritetin tonë të fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës ndërsa përballemi me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane. Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse.

Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët. Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj.

Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohje eventuale reciproke në qendër, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik. Përsëri urime të gjithë popullit të Kosovës – mikut, partnerit dhe aleatit tonë – në këtë ditë të rëndësishme. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA