Zelensky përjashton mundësinë e një marrëveshjeje për territor me Putinin

16/02/2023 21:23

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përjashtuar mundësinë e dhënies të ndonjë pjese të territorit të shtetit të tij, si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme të paqes me presidentin rus, Vladimir Putin.

Në një intervistë për BBC në prag të përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Zelensky paralajmëroi se dhënia e territorit do të nënkuptonte se Rusia “do të vazhdonte të kthehej”, teksa theksoi se armët perëndimore do ta sjellin më afër paqen.

Sipas tij, ofensiva e pranverës veçse ka nisur.

“Sulmet ruse po ndodhin në disa drejtime”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se beson se forcat ukrainase do të vazhdojnë të rezistojnë ndaj avancimit rus, derisa të jenë në gjendje të kryejnë një kundërofensivë, edhe pse ai përsëriti thirrjet e tij për më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.

“Natyrisht, armët moderne përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, tha ai.

Perëndimi e ka ndihmuar me armatime Ukrainën, por Kievi po kërkon që dërgesat e armëve të arrijnë sa më shpejt. Ukraina po pret tanket e premtuara nga shtetet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, por tanket pritet të shkojnë në Ukrainë pas disa javësh.

Zelensky po ashtu komentoi deklaratat e liderit të Bjellorusisë se nëse trupat ushtarake hyjnë në Bjellorusi, ky shtet do të hyjë në luftë me Kievin.

“Shpresoj që Bjellorusia të mos i bashkohet luftës. Nëse i bashkohet, ne do të luftojmë dhe ne do të mbijetojmë”, tha ai.

Forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke hyrë në territorin e Ukrainës përmes Bjellorusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA